Lajme

3️0 vjet nga themelimi i Komitetit Olimpik të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 15:50 | 27 May 2022

Sot janë bërë 30 vjet që nga themelimi i Komitetit Olimpik të Kosovës, pra ishte vitit 1992 kur sporti i Kosovës u bë me institucionin më të lart sportiv, shkruan Gazeta Infokus.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, nga ky komitet kanë kujtuar këtë datë.

“Në këtë ditë, në objektin e Rilindjes në Prishtinë, ishin mbledhur emra të njohur të sportit, kontribuues të mëdhenj, të cilët themeluan Komitetin Olimpik të Kosovës.
Me këtë rast, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, shpreh mirënjohjen e thellë dhe falënderimet e panumërta për të gjithë ata që kontribuuan dhe u mblodhën për ta themeluar KOK-un” ,thuhet në njoftimin e KOK.

-Advertisement-

Kryetari i këtij komiteti, Ismet Krasniqi i ka falënderuar ata që themeluan këtë komitet në kohën e regjimit serb në Kosovë

“I falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që morën guximin dhe u mblodhën për të themeluar KOK-un, duke rrezikuar kështu edhe jetën e tyre nga regjimi serb, i cili me arrestime dhe burgosje të kontribuuesve të sportit, tentonte të ndalonte çdo veprimtari tonën sportive. 27 maji i vitit 1992, është datë me rëndësi të veçantë për lëvizjen olimpike, pasi themelimi i KOK-ut u hapi rrugën edhe shumë federatave sportive, të cilat nisën veprimtarinë e tyre të pavarur nga sporti i ish-Jugosllavisë”, tha presidenti Krasniqi.

Tutje ai ka falënderuar edhe të gjithë anëtarët e Bordeve Ekzekutive, si dhe ish-presidentët që drejtuan KOK-un: Veton Surroi, Shaqir Shaqiri dhe Besim Hasani.

Atëbotë, më 27 maj 1992, kryesia e parë e KOK-ut përbëhej nga nëntë anëtarë si: Veton Surroi (kryetar), Prof. Dr. Behlul Brestovci (nënkryetar), Prof. Dr. Esat Staviceli (basketboll), Aziz Salihu (boks), Fahri Buçinca (hendboll) dhe Hysen Rakovica (FKF), derisa një anëtar u zgjodh më vonë.

Ndërsa, këshilli mbikëqyrës u përbë nga Ismail Hyseni, Bedri Hamza dhe Adem Fejzullahu. Krahas anëtarëve, që vinin kryesisht nga sportet olimpike, u zgjodhën edhe punëtorët dhe ish-sportistët meritorë si: Fadil Vokrri, Hysen Syla, Mustafë Syla, Muhamet Berisha, Mehmet Bogujevci, Sefedin Reçica, Agim Kasapolli dhe Isak Latiti.

“Pas këtij akti solemn të themelimit të KOK-ut, mund të përfundojmë sa e këndshme do të jetë dita kur sportistët kulminantë kosovarë, në vend të afirmimit të një krijese artificiale shtetërore që quhej Jugosllavi, në shfaqjet sportive ndërkombëtare dhe në Lojërat Olimpike do të luftojnë për afirmimin e vendit të vet – shtetit më të ri në Ballkan, Kosovës”, thuhej mes tjerash në shkrimin e ish-gazetarit të Rilindjes, Musa Alaj.

E në këtë jubile si asnjëherë më parë në emisionin N’Konak, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, flet për sfidat e tij dhe të sportit kosovar gjatë okupimit, pa i lënë anash sukseset dhe të arriturat.
Për këto dhe plotë të tjera, vetëm N’Konak, sonte nga ora 22:15, në RTV Dukagjini dhe Gazeta Infokus.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera