Lajme

25 vjet punë e ATK-së, mbi 11 miliardë euro të hyra

Autori: Gazeta inFokus 14:52 | 17 January 2025

Administrata Tatimore e Kosovës shënoi sot 25 vjetorin e themelimit të saj me një ceremoni solemne me shumë të ftuar.

Në një kumtesë për media të këtij institucioni theksohet se të pranishmit vlerësuan rrugëtimin e ATK-së gjatë çerek shekullit të fundit, duke theksuar rolin kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës dhe se fjalimet kryesore u fokusuan në sfidat e tejkaluara, mbështetjen ndërkombëtare të dhënë ndër vite, reformat institucionale, proceset e digjitalizimit dhe arritjet rekorde në rritjen e të hyrave.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në fjalimin e tij tha se misioni i ATK-së është ngritja e nivelit më të lartë të përmbushjes vullnetare në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, si dhe ofrimi i shërbimeve profesionale, transparente dhe efektive për tatimpagues.

-Advertisement-

Ai theksoi se si rezultat i punës profesionale, me integritet dhe ndershmëri, efektivitet dhe transparencë, Administrata Tatimore e Kosovës për këto 25 vjet ka mbledhur mbi 8 miliardë euro tatime, dhe mbi 3 miliardë euro kontribute pensionale, pra, gjithsej mbledhje të të hyrave mbi 11 miliardë euro.

Ambasadorët e vendeve të fuqishme në Kosovë, në fjalimet e tyre, e vlerësuan lart angazhimin dhe përkushtimin e ATK-së për të ndërtuar një sistem tatimor të drejtë dhe të qëndrueshëm, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të dhënë përmes projekteve dhe ekspertizës ndërkombëtare, thuhet tutje në njoftim.

Ngjarja u përmbyll me një falënderim të veçantë për të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin e ATK-së ndër vite dhe një zotim për të vazhduar përpjekjet drejt modernizimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera