Lajme

240 dëshmitarë për tentativën e vrasjes së ish-spiunit rus

Autori: Gazeta inFokus 07:52 | 11 March 2018

Më shumë se 240 dëshmitarë janë identifikuar, teksa hetimi policor për tentativën e vrasjes së ish-spiunit rus po ecën me ritme tepër të larta, njoftoi pasditen e kësaj të shtune Sekretarja e Brendshme britanike.

Amber Rudd lavdëroi profesionalizmin e policisë, që po shqyrton tashmë mbi 200 copëza provash në këtë ngjarje të rëndë. Hetimi për helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia, ka hyrë tashmë në ditën e gjashtë të tij.

Ndërkohë, oficeri Nick Bailey, që u prek gjithashtu nga agjenti nervor pasi u gjend pranë dyshesh në objektiv të sulmit, mohon të jetë një hero. Edhe Bailey mbetet në gjendje kritike, por të paktën është zgjuar, i ndërgjegjshëm dhe ka komunikuar me familjen e tij.

-Advertisement-

Rudd tha se ish-koloneli Skripal, 66 vjeç, dhe vajza e tij 33-vjeçare, të shtruar në Spitalin e qytetit Salisbury, mbeten ende në “gjendje kritike por të qëndrueshme”, pasi u ekspozuan ndaj një agjenti nervor. Dyshja në fjalë u gjet pa ndjenja të dielën e 4 marsit.

Më shumë se 250 pjesëtarë të policisë antiterrorizëm janë përfshirë në atë që Sekretarja e Brendshme e ka përshkruar si “hetim madhor”.

Duke folur pas një takimi në Komitetin qeveritar të Emergjencave (COBRA), Rudd tha se qeveria po përdor të gjitha mjetet në dispozicion në përpjekje për të identifikuar përgjegjësit pas kësaj tentative vrasjeje.

Rusia mohon të jetë e përfshirë në këtë rast, por Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson paralajmëroi pak ditë më parë se Britania e Madhe do të përgjigjej “në mënyrë të ashpër e të vendosur” nëse verifikohet që Moska të fshihet pas këtij incidenti.

Si pjesë e hetimit, edhe rreth 180 personel ushtarak janë dërguar në ndihmë për të lëvizur mjetet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga substanca nervore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera