Lajme

24-vjetori i masakrës së Mejës, Konjufca: Jemi të përkushtuar për zbardhjen e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 15:57 | 27 April 2023

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë. Në përvjetorin e kësaj masakre dhe në Ditën e të pagjeturve, ka bërë thirrje për drejtësi dhe efikasitet të këtij sistemi.

“Në Mejë, 24 vjet më parë, u zbatua formula fashiste e Vuçiqit “100 për 1″ mbi civilët e pafajshëm shqiptarë si hakmarrje për humbjet që forcat serbe pësonin në fushëbeteja nga UÇK-ja dhe bombarduesit e NATO-s”, ka shkruar Konjufca.

Ai tha se po punojnë me prioritet për mbylljen e kësaj plage të hapur dhe se janë të përkushtuar për zbardhjen e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, në mënyrë që autorët të sillen para drejtësisë.

-Advertisement-

Postimi i plotë:

Më 27 prill të vitit 1999 forcat agresore ushtarake dhe policore të Serbisë filluan operacionin famëkeq “Reka” me qëllim spastrimin etnik dhe vrasjen masive të shqiptarëve në rrethinën e Gjakovës dhe Junikut.

Kordoni i vdekjes u kishte zënë pritë në fshatin Mejë banorëve të atyre anëve, të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë dhe tokat e tyre.

Meshkujt e grupmoshave 14-60 vjeç i nxorën nga kolona dhe i ekzekutuan në një fushë afër rrugës. Vranë dhe masakruan në mënyrën më mizore të paktën 376 civilë shqiptarë, 36 nën moshën 18 vjeçare. Një pjesë e kufomave u gjetën në fushën e krimit. Pjesën tjetër i bartën në Serbi dhe atje i hodhën në varreza masive, duke tentuar zhdukjen e gjurmëve të krimit të gjenocidit.

Në Mejë, 24 vjet më parë, u zbatua formula fashiste e Vuçiqit “100 për 1” mbi civilët e pafajshëm shqiptarë si hakmarrje për humbjet që forcat serbe pësonin në fushëbeteja nga UÇK-ja dhe bombarduesit e NATO-s.

Prandaj sot dhe jo vetëm sot badhkëndjejmë me familjet e martirëve të Mejës por edhe të gjithë Kosovës. I përkulemi kujtimit dhe sakrificës madhore, frymëzohemi për ta dashur dhe përparuar gjithnjë e më shumë shtetin që sot e gëzojmë falë gjakut të tyre.
Përvjetori i masakrës së Mejës përkon edhe me Ditën Kombëtare për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Në shënim të kësaj dite i bashkohemi dhimbjes, vuajtjes dhe pritjes së gjatë të familjarëve të më shumë se 1600 personave. Po punojmë me prioritet që ta mbyllim sa më parë këtë plagë të hapur.

Jemi të përkushtuar që ta zbardhim plotësisht të vërtetën e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Gjithashtu autorët t’i sjellim para drejtësisë.

Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera