Lajme

24 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit, Kurti: Zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin projekt i Serbisë, s’do të rreshtim së kërkuari drejtësi

Autori: Gazeta inFokus 11:21 | 16 May 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 24 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti ku ka thënë se zhdukja e tij është krim i pazbardhur i Serbisë, shkruan Gazeta Infokus.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se me deklaratën e personave të zhdukur të miratuar me 2 maj, Serbia ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës.

“24 vite nga zhdukja e profesorit Ukshin Hoti. Pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës. Më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk.  Zhdukja e tij është është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

-Advertisement-

Ndryshe ka shtuar se Qeveria nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia. Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”, ka shkruar më tej Kurti./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera