Lajme

24 vjet nga rënia e doktorit Shpëtim Robaj, i cili vdiq duke ndihmuar ushtarët e UÇK-së

Autori: Gazeta inFokus 08:16 | 30 September 2022

Sot bëhen 24 vjet që nga vdekja e doktor Shpëtim Robajt, i cili ra dëshmor në rrugën mes Abrisë dhe Likocit më 30 shtator të vitit 1998, përderisa ishte në një makinë ndihme, rrugës për t’u ndihmuar ushtarëve të plagosur të UÇK-së.

Robaj ishte ndër vullnetarët e parë të mjekëve specialistë dhe çmohet si organizatori kryesor i angazhimit dhe i formimit të ekipeve të specialistëve nga Prishtina, që në Drenicë dhe në zona të tjera të luftës të arritën në çastet më vendimtare.

Kontributi i tij është dalluar në kohën e luftës. Ku doktor Robaj punoi edhe për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, duke ndihmuar në organizimin e spitaleve ushtarake të UÇK-së dhe përkujdesjen ndaj të plagosurve.

-Advertisement-

Me të dëgjuar lajmin për masakrën që ishte kryer nga forcat ushtarake dhe policore serbe kundër familjes Deliu në fshatin Abri të Drenicës, ku kanë qenë masakruar 24 anëtarë, Shpëtim Robaj së bashku me mjekët Cen Bytyçi, Ilir Tolaj, Osman Sejfijaj, Ymer Aliu dhe një ekip të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, të cilin e udhëhiqte Margaret Braison nga Zelanda e Re, u nisën në drejtim të Abrisë me qëllim për të ndihmuar të plagosurit.

Më 30 shtator 1998, në hyrje të fshatit Likoc në Abri të Ulët, kamioni i ndihmës ra në minat e vendosura nga forcat serbe. Nga shpërthimi i fuqishëm, Robaj mori plagë vdekjeprurëse, teksa u plagosën edhe doktor Tolaj, Braison dhe Linda Bunjaku nga Prishtina.

Në këto momente kritike, në vendin e shpërthimit të minës arritën dy vetura ndërkombëtare, njëra e UNHCR-it dhe tjetra e KDOM-it.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët përmes radio-lidhjeve mbanin kontakte me forcat serbe, i kërkuan atyre një helikopter për t’i dërguar mjekët e plagosur. Helikopteri kishte vonuar më shumë se 2 orë dhe kishte arritur pasi kishte ndërruar jetë doktori dhe humanisti Shpëtim Robaj, siç ka treguan në një postim doktori Salih Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.

Për jetën dhe veprën e dëshmorit Shpëtim Robaj është shkruar monografia “Dr. Shpëtimi shpëtimtar jete” nga autorët Ilaz Metaj dhe Ali Llunji.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera