Lajme

22 vjet nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, Ahmeti: Sot padyshim jemi më mirë se dje

Autori: Gazeta inFokus 14:02 | 13 August 2023

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në 22 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka thënë se sot janë më mirë se dje dhe se janë duke tejkaluar “edhe barrierat e fundit drejt barazisë së shumë kërkuar dhe të mohuar”

“Sot padyshim jemi më mirë se dje, po punojmë që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Gjithmonë bashkë, prandaj dhe në këtë përvjetor të Marrëveshjes së Ohrit bëj thirrje për bashkim, unifikim rreth frontit evropian si nevojë dhe përgjegjësi historike e kohës dhe hap i domosdoshëm për ta siguruar të ardhmen”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se janë duke tejkaluar “edhe barrierat e fundit drejt barazisë së shumëkërkuar dhe të mohuar”.

-Advertisement-

“Sot gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar bashkë me tri universitete në gjuhën shqipe janë zyrtare. Sot shqiptarët i gjen gati në të gjitha dikasteret, por dhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet e vendit ku demostrojnë kapacitete shtetdrejtuese. Sot jemi pjesë e Aleancës Euroamerikane, jemi në NATO. Po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë, Kosovën, rajonin, me të cila dhe po unifikojmë kufinj. Hapëm negociata për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe po përfundojmë skreningun. Për ta rrumbëllaksuar procesin e barazisë dhe integrimit duhet të ndërmarrim dhe hapin e fundit të ndryshimeve kushtetuese. Vendimet e mëdha kërkojnë guxim e jo kalkulim, kërkojnë vizion e jo shkurtpamësi, kërkojnë prirje e jo strukim, nuk guxojmë ta humbasim shansin e ta shuajmë shpresën e qytetarëve për një vend dhe rend evropian. Punët nuk përfundojnë asnjëherë, ashtu siç edhe detyrat tona nuk mbarojnë, por nevojitet angazhim i yni i përditshëm për t’i përafruar standardet tona me ato evropiane, dhe prandaj ne nuk ndalemi, por ripërtërihemi në çdo sfidë dhe e përballojmë”, ka thënë ai.

Lidhur me 22-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka reaguar dhe ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.

Osmani ka thënë se kjo është një nga marrëveshjet “e rralla të paqes që krijuan model funksional dhe afatgjatë për promovimin e vlerave bashkëkohore si: paqe, stabilitet dhe prosperitet; respektim të të drejtave kolektive, barazi dhe promovim të bashkëjetesës; liri, demokraci dhe respektim të të drejtave individuale”.

Të dielën e 13 gushtit janë mbushur 22 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në mes shqiptarëve dhe maqedonasve për raporte të reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e shtetit që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

Pas konfliktit të armatosur që ndodhi në vitin 2001, u arrit kjo marrëveshje me asistimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera