Fokus

“22 mijë të punësuar për një vit”- ish ministri i Financave e demanton keq Hekuran Muratin

Autori: Doresa Geci 14:11 | 30 September 2021

Ministri i Financave në ish-Qeverinë Haradinaj, Haki Shatri po i quan manipulime, deklarimet e ministrit të Transfereve dhe Financave, që për një vit në Kosovë janë punësuar mbi 22 mijë persona.

Sipas tij, Ministria iu ka referuar vetëm një burimi, në këtë rast Administratës Tatimore të Kosovës. Kjo sipas Shatrit krijon mundësi të krijohen shifra jo të vërteta.

“Mundësia për të manipuluar me numra është e madhe, por realisht kurrë nuk besoj që janë punësuar edhe 20 mijë persona të tjerë brenda një viti. Mundësia e manipulimit është për shembull: janë angazhuar disa punëtorë për shkak të pandemisë, ta zëmë për një muaj dhe këto informacione merren se kush ka paguar tatimin në të ardhura personale, qoftë edhe për atë muaj. Dhe kështu ato qiten në numër dhe mund të shërbej si një reklamë e mirë, por nuk ka kapacitete ekonomia jonë për aso punësimesh të mëdha. Unë po lus Zotin ishalla nuk është zvogëluar numri i të punësuarve, se për me u rritë hiq mendja nuk ma merrë”, ka thënë Shatri për Infokus.
Ai madje ka demantuar Muratin, rreth rritjes ekonomike për gjatë këtij viti.

-Advertisement-

Sipas tij, ka pasur përmirësime në ekonomik krahasuar më vitin e kaluar për shkak se në vitin 2020, ekonomia e vendit ka qenë e bllokuar.

“Nëse e merr si masë krahasuese pikën më të dobët të vitit të kaluar, ka mundësi që ka pas një lëvizje pozitive sepse në të njëjtën përudhë na patën larguar masat ndaj pandemisë, dhe është paraqitur një ringjalle krahasuar me atë periudhën që ka qenë më keq. Por rritje reale të ekonomisë nuk mund të ketë. Ka një përmirësim krahasuar me vitin e kaluar, por jemi prapë shumë me larg se në vitin 2019”, ka thënë mes tjerash ish ministri i Financave.

Ministri Murati, të mërkurën ka deklaruar se në Kosovë janë punësuar 22 mijë persona më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

“Sa i përket punësimit, nëse i marrim shifrat në fund të tremujorit të dytë që është muaji qershor dhe e krahasojmë deklarimin në Administratë Tatimore që ka qenë në fund të qershorit të vitit të kaluar kemi një rritje prej 22 mijë vende pune. Në vitin e kaluar, në fund të qershorit kanë qenë të deklaruar 342 mijë vende pune, kurse këtë vit janë 364 mijë vende pune”, u shpreh Murati./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera