Lajme

210 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Hani i Elezit

Autori: Gazeta inFokus 12:34 | 06 February 2019

Është nënshkruar kontrata komerciale ndërmjet Infrakos-it dhe Generale Construzioni Ferrovarie, për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë-Hani i Elezit, investim i cili kap shifrën 210 milionë euro, shkruan inFokus.

Rehabilitimi i kësaj linje, që pritet të përfundojë brenda 24 muajve, u tha se do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërkohë që gjatë punimeve në këtë linjë do të krijohen edhe vende të reja të punës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se e mira e kësaj pune është se do të ketë vende të punës dhe gjenerim ekonomik.

-Advertisement-

Haradinaj: Në fillim të 2021 do të kemi hekurudha të mira

“Punimet zgjasin 24 muaj dhe që i bie se në fillim të vitit 2021 do të kemi hekurudha, do të kemi linjë hekurudhore të kualitetit po e quaj të pranueshëm, të kualitetit të mirë, jo më të mirin se hekurudhat në Evropë kanë avancuar shumë. Por, hekurudha që do të jenë në funksion të qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve dhe të lidhjes ekonomike jo veç mes Kosovës e Maqedonisë Veriore po edhe të ekonomive të rajonit. Anët e mira të ditës së sotme janë se ky është një investim i përbashkët, pra investon populli i Kosovës nga buxheti i vet, por po ashtu investon edhe BE-ja. Kur themi nga paratë e veta, Kosova i merr hua, por prapë i kthejmë ato para. Mirëpo, jo vetëm kaq investon edhe Evropa përmes investimeve të IPA grante për rehabilitimin e hekurudhave tona”, u shpreh kryeministri.

Haradinaj u shpreh se hekurudhat kanë edhe dy seksione të tjera të nevojshme, ku tha se për ato së shpejti do të ketë nënshkrime të kontratave.

Ai deklaroi se për këto seksione puna do të ndodhë më shpejt dhe se në pranverë të vitit 2021 jo vetëm që do të jetë i përmbyllur seksioni nga Fushë Kosova deri në Han të Elezit, por do të jenë të përfunduara edhe deri në Merdare.

Kryeministri potencoi se do të ishte një lajm i gëzueshëm nëse do të kishte një hekurudhë që do të lidhte Kosovën me Portin e Durrësit, për të cilën tha se për fat të keq kur është bërë autostrada nuk është menduar për trasenë e hekurudhës.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, deklaroi se nga sot do të fillojë implementimi i projektit prej 210 milionë euro, ku me këtë investim trenat mund të zhvillojnë shpejtësi prej 150 kilometra në orë.

Lekaj: Rehabilitimin e 65 km të parë me një investim 78 milionë euro
“Rehabilitimin e 65 kilometrave të parë me një investim rreth 78 milionë euro, që do të përfshijë linjën nga Fushë Kosova, Lipjan, Bablak, Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit dhe në pikën kufitare. Pikënisje e një investimi të madh ne do të vazhdojmë që të përfundojmë procedurat në këtë pranverë edhe për segmentin Prishtinë- Mitrovicë, ku përfshinë Fushë Kosovën, Obiliqin, Prelluzhën, Vushtrri, Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq, Sllatina e Ibrit dhe përfundon në Leshak. Edhe ajo Fushë Kosovë- Pejë është në fazën e projektimit, po ashtu është duke u projektuar linja për Besianë, Podujevë, Fushë Kosovë, Prishtinë, me pikën kufitare. Të gjitha këto i ceka me qëllim për të treguar se edhe sistemi hekurudhor në Kosovë është prioritet i Qeverisë”, tha ai.

Ministri Lekaj tha se duke i lidhur tri llojet e transportit, atë rrugor, ajror dhe hekurudhor Kosova lidhet me korridore të rëndësishme ndërkombëtare dhe kjo sipas tij do të shënojë rritje të ekonomisë.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i Infrakos, Agron Thaçi, tha se ky projekt do të ketë efekt jo vetëm në ekonominë dhe mirëqenien e vendit, por edhe të vendeve të rajonit.

Thaçi: Do të kemi një linjë moderne

“Që nga nesër punimet do të fillojnë punimet e shumëpritura për të cilat kemi punuar gjatë, besoj se kemi bërë një përgatitje adekuate në mënyrë që të kemi në fund një projekt shumë cilësorë. Do të kemi një linjë, e cila do të jetë linjë moderne, që i plotëson të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian, kriteret minimale dhe e cila linjë do të mundësojë që të përmbushen kriteret e kontrollit të trafikut hekurudhor, si dhe do të kemi një sistem evropian të menaxhimit të përgjithshëm të trafikut. Kur këto të përmblidhen ne mund të themi se do të krijojmë kushte dhe mundësi që trenat prapë të rikthen nga Munihu nëpërmjet Salsburgut dhe ta riaktivizojmë pse jo edhe linjën e mëhershme deri në Athinë e më gjerë”, u shpreh ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera