Lajme

21 raportime për parregullsi gjatë procesit zgjedhor, hapen 3 raste në prokurori

Autori: Gazeta inFokus 16:51 | 14 November 2021

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri tani kanë pranuar rreth 21 informacione të ndryshme të cilat lidhen me ndërhyrje në votim, fotografim të votimeve, fjalosje në qendër të votimit, blerje të votës e raportime për parregullsi tjera gjatë votimeve, raporton Gazeta Express.

Sipas policisë, me vendim të prokurorëve, janë hapur tri raste.

Policia ka bërë të ditur se ka hapur një rast edhe në Junik për pengim të procesit të votimit.

-Advertisement-

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet dhe planifikimet e saja policore lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor balotazhi 2021.

Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë bashkërenduar dhe koordinuar aktivitetet e përbashkëta me Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përderisa në aspektin policor janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

Bazuar në informacionet e deritanishme të siguruara nga të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës, deri më tani janë pranuar rreth njëzet e një (21) informacione të ndryshme, të cilat përmbajnë kryesisht raportime rreth; ndërhyrje në votim (1), fotografim të votimit (5), fjalosje në qendër të votimit (1), grumbullim të personave në afërsi të qendrave të votimit (7), blerje e votës (2), kanosje (1), bezdisje e qytetareve (1), falsifikim i dokumentit të bexhit (1), person i dehur në qendër të votimit (1) dhe mosmarrëveshje në qendër të votimit (1) informatë.

Nga këto 21 informacione të trajtuara, me vendim të prokurorëve kompetent deri më tani janë hapur tri (raste) prej tyre, (1) rast në Junik – Pejë ” Pengim i procesit të votimit” ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë, (1) rast po ashtu në Junik – Pejë ” Prishje e rendit dhe qetësisë publike” ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe (1) rast në Vushtrri ” Falsifikim i dokumentit”, i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit.

Andaj, Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera