Opinione

(2) Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Agron HOTI 12:24 | 28 March 2020

Të gjithë e dimë që gjatë komunizmit, ne shqiptarët nuk e kishim Evropën plotësisht në anën tonë dhe përkundër terrorrit serb ne kurrë nuk u ndalëm së rreshturi duke thirrur për evropianizim të hapësirave jugosllave, pra nuk u ndalëm së thirruri për ato liri dhe të drejta demokratike që i gëzonte Evropa, së paku pjesa më e zhvilluar e saj. 

Edhe pse shqiptarët pa fajin e tyre, ishin populli më i terrorizuar dhe pazhvilluar në Evropë, mirëqenia dhe të drejtat e tyre, asnjëherë në histori nuk kanë qenë më të mira se sot, edhe pse gjendja e përgjithshme është larg të qenurit perfekte. Kjo sepse projekti i shqiptarëve ende s’ka përfunduar, ashtu siç ende s’është arritur mirëqenia e nevojshme sociale. Kuptohet këtu nuk është e tëra bardh e zi sa i përket Evropës, sepse kishte shtete evropiane që përmes formave të ndryshme u munduan ta ruanin dhe mbështesnin popullin shqiptar, por rezultatet e përfundimtare rrallë e hiq ishin inkurajuese. 

Duhet ta theksojmë se Shqipëria u bë shtet, si shumë shtete tjera të rajonit dhe botës, vetëm kur SHBA pas Luftës së Parë Botërore promovonin parimin e të drejtës së vetëvendosjes së popujve. Duhet ta theksojmë që Kosova u bë shtet vetëm kur SHBA-të gjetën vegzën e ndërhyrjes humanitare në shtete, popullsitë e të cilave po terrorizoheshin para syve të Evropës dhe botës, siç në fund të shekullit 20 po vepronte hapur Serbia, për fajin e së cilës qe bombarduar nga NATO. Duhet po ashtu ta theksojmë që SHBA-të kishin rol prijës në këto bombardime, të cilat u mbështetën fuqishëm dhe nga aleatët e saj evropianë dhe jo vetëm. 

-Advertisement-

Nuk është çështja këtu se me kë jemi, pra me SHBA apo BE, sepse jemi me të dyjat, por çështja është se kush do të ketë rolin prijës në këtë proces të komplikuar ndërkombëtar, pra Uashingtoni apo Brukseli? Për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës nuk do mend që Uashingtoni ka pasur rol prijës. Ndërsa, me insistimin dhe ndërmjetësimin e Brukselit dialogojmë me Serbinë që prej vitit 2010 dhe në këtë rrugëtim Kosova për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e saj ka marrë vetëm MSA-në, por jo vizat, duke mbetur kështu vendi i vetëm i izoluar në Evropë. 

E nëse BE s’ka qenë dhe s’është e gatshme të heqë vizat për më pak se 2 milionë banorë dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ashtu siç 5 Shtete Anëtare të saj se njohin, si ka mundësi që me një rol prijës të Brukselit të zgjidhet problemi i Kosovës dhe Serbisë, kur dihen dallimet e mëdha brenda saj kundrejt çështjes së Kosovës dhe ndaj shumë çështjeve tjera (shih çështjen e refugjatëve, recesionit ekonomik, pabarazisë në zhvillim ekonomik, Brexit, etj)? 

Pyetja që shtron çdo shqiptar është se pse BE nuk mundi ta zgjidhte problemin e shqiptarëve në Jugosllavi, derisa këta të fundit po terrorizoheshin gjatë tërë shekullit 20 mu para syve të kësaj Evrope? Se a ishte Evropa e aftë, paaftë, a kishte apo jo vullnet, apo nuk donte të përzihej në punë të brendshme të Jugosllavisë, kjo ka pak rëndësi, por një gjë dihet, shqiptarët në Jugosllavi përbënin numrin më të madh të të burgosurve politikë, indikatori më bindës që ishin më të terrorizuarit, më të pazhvilluarit dhe pse jo më të varfërit jo vetëm në Jugosllavi, por edhe në rajon dhe Evropë. Këtu askush nuk ka mëdyshje. 

Kurse Serbia që nga viti 2010 në njërën anë po vazhdonte dialogun me Kosovën sa për sy e faqe duke mos zbatuar pothuaj asnjë marrëveshje të arritur në Bruksel, ndërsa në anën tjetër publikisht po sfidonte pavarësinë e Kosovës duke destabilizuar veriun e Kosovës sa herë që i konvenonte për ta dëmtuar Kosovën në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, të cilat jo rrallë i kërkonte të mbaheshin, duke u munduar ta delegalizonte dhe deligjitimonte pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke sfiduar kështu karakterin e pastër të luftës së UÇK-së në Këshill të Evropës, si rezultat i cilës u formua Gjykata Speciale e njëanshme, duke lobuar për ç’njohje të pavarësisë së Kosovës në shtete ku Serbia dhe aleatët e saj (p.sh. Rusia) kishin dhe kanë ndikim si dhe duke penguar vazhdimisht anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë. 

Pra, tërë kjo ofensivë serbe po ndodhte dhe po ndodh mu para syve të zyrtarëve të Brukselit, bile udhëheqja politike e Serbisë edhe sot vazhon me të njëjtat politika destruktive dhe as që i bën për Brukselin. Pavarësisht kësaj qasjeje desktruktive të Serbisë karshi Kosovës dhe Brukselit, asaj iu hoqën vizat pa asnjë sukses të vetëm në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa treguar asnjë shenjë të përmirësimit të raporteve me fqinjët përfshirë Kosovën, nënshkroi MSA-në, dhe iu hapën negociatat për anëtarësim në BE. 

Krahas gjithë këtyre zhvillimeve destruktive të saj, Serbia mban raporte të mira me BE-në në njërën anë dhe me Rusinë në anën tjetër. E Rusia shfrytëzon Serbinë si trampolinë për destablizimin e rajonit. E tash një qytetar apo politikan i Kosovës me të drejtë mund të dyshojë në aftësinë e BE-së për të marrë rol prijës në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe Serbisë. Por nëse dyshohet në aftësinë e BE-së për të zgjidhur problemin e Kosovës, kjo nuk na bënë kundër BE-së, sepse pas zgjidhjes së këtij problemi Kosova ka të ardhme vetëm në BE. Dhe nëse zgjidhet problemi i Kosovës me Serbinë, a nuk është kjo edhe interes i BE-së për pasur një problem të madh më pak drejt integrimit të Ballkanin Perëndimor në BE?

Nëse BE vërtet është e interesuar t’i rregullojë dhe përafrojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, pse nuk bën një hap të madh në rrafshin infrastrukturor, minimumi i minimumit të së cilës do të një autostradë dhe hekurudhë e pajtimit mes Prishtinës dhe Beogradit? Kombet zhvillohen përmes rrugëve dhe një financim i një autostradeje dhe hekurudheje mes Prishtinës dhe Beogradit nga ana e BE-së si dhe trajtimi i barabartë i të gjitha vendeve të rajonit pa ledhatime dhe konçesione, siç vazhdimisht po i bëhen Serbisë, kushtëzimi i Serbisë që mos të jetë destruktive ndaj Kosovës, të gjitha këto do të bënin që Kosova t’i besonte shumë më shumë BE-së. E absurdi i absurdit të absurdeve është heqja e vizave për Serbinë që bëri gjenocid në Ballkan, e mos-heqja e tyre Kosovës, e cila në vitin 1999 rrezikonte zhdukjen nga faqja e dheut pikërisht nga kjo Serbi.

E tash, kujt mund t’i besojnë më shumë institucionet dhe qytetarët e Kosovës sa i përket rolit udhëheqës karshi marrëveshjes, siç po thuhet në ardhje, mes Kosovës dhe Serbisë? SHBA-së, e cila ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Kosovës duke qenë vetë arkitekti kryesor i saj, apo BE-së, e cila nuk na njeh si shtet, nuk na njohin 5 Shtete Anëtare të saj, bile as që e ka dikush idenë se kur do të na njohin, që nuk e pengon Serbinë, përkundrazi e shpërblen atë në procesin e Integrimit Evropian për rolin destruktiv që ka vazhddimisht ndaj Kosovës. Pra, nëse i shikojmë të gjitha faktet, atëherë nuk është e vështirë të rreshtohemi krahas atyre që kontribuan më së shumti që Kosova të bëhet shtet. Duke mos u rreshtuar si duhet, kemi filluar të nxisim ndjenja anti-amerikane në Kosovë, të cilat nëse intensifikohen do të mund të jenë fatale për të ardhmen tonë. 

Për të parë se a ka bazë për anti-amerikanizëm në Kosovë do të mundohem të shtroj disa pyetje të shumta, përmes të cilave do të mundohem t’i afrohem përgjigjes, por jo të përgjigjem plotësisht, jo se nuk dua, por se kombinimi i tërësisë me të veçantën e një mjedisi tejet të polarizuar vendor dhe ndërkombëtar mund të shkojnë përtej kapacitetit tim. Sido që të jetë do të mundohem të ngreh ca “pse” të shumta, sidomos për ata që kanë frikë se Kosova mund të humbë territore në rast të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, se çfarë interesi kanë SHBA-të të ndajnë Kosovën – siç flitet në qarqe të caktuara vendore dhe ndërkombëtare – për t’i bërë kinse favore Serbisë, e me këtë rast Rusisë. A ka bazë për këtë shqetësim që në fakt mbretëron në Kosovë, apo jo?

Pse SHBA do ta ndante Kosovën apo ta mbështeste një marrëveshje shkëmbimi territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, kur dihet që SHBA-të as në formë e as në përmbajtje nuk mbështesin shkëmbime të tilla teritoriale, këtë e ka demantuar disa herë Ambasadori Grenell dhe së fundmi edhe Departamenti i Shtetit të SHBA-së. Nëse ka një shtet në glob që ka të gjitha kapacitetet  e nevojshme për të mos i bërë konçesione Rusisë e Serbisë është vetë SHBA. Në numrin ardhshë (nr. 3) do të flas për disa “pse” të shumta kryesore, të cilat nuk bindin për konçesione të SHBA-së për Kosovën përballë Serbisë dhe pse jo Rusisë. (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera