“Kosova mundet më mirë”, zotimet e Bedri Hamzës për udhëheqjen e shtetit
Autori: Gazeta inFokus 21:46 | 02 November 2024
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza u zotua se nën qeverisjen e tij të ardhshme pagat në sektorin publik do të rriten 50 për qind, do të ketë subvencione nga 100 euro për familjet që regjistrojnë fëmijët në çerdhe private dhe nuk do të ketë pension më të vogël se 200 euro.
Derisa shpalosi programin qeverisës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Konventën e PDK-së, Hamza premtoi se nëse merr besimin e qytetarëve në zgjedhjet e shkurtit, atëherë si kryeministër i ardhshëm i Kosovës për të gjitha kategoritë e luftës do të ketë rritje të pensioneve 50 për qind.
“Pagat në sektorin publik do të rriten 50 për qind…Përjashtuar për pagat e larta dhe pozitave të larta politike që do të rriten 30 për qind. Në qeverinë që do të udhëheqë unë nuk do të ketë pension më të vogël se 200 euro. Këtu hyjnë të gjithë pensionet e moshës, pensionet e familjeve me asistencë sociale dhe shumë kategori të tjera. Për kategorinë më meritore, më të respektuara, kategoritë e dala nga lufta pensionet për familjet e dëshmorëve do të rriten 50 për qind…Nuk do të detyrohen prindërit e dëshmorëve që të zgjedhin mes pensionit të pleqërisë apo pensionit të dëshmorit, do të marrin edhe pensionin e moshës edhe pensionin e dëshmorit. Invalidëve të luftës, pensionet do t’u rriten 50 për qind. Veteranëve të luftës pensionet do t’u rriten 50 për qind. Nuk do të kufizohet e drejta që ata të punojnë në sektorin provat”, tha Hamza.
Në mesin e mijëra simpatizantëve, kandidati për kryeministër Bedri Hamza premtoi se do të subvencionohen me nga 100 euro familjet që i regjistrojnë fëmijët në çerdhe private. Ai potencoi se sipas planit qeverisës arsimi do të lidhet ngushtë me tregun e punës. Hamza u shpreh se sigurimet shëndetësore do të bëhen realitet.
“Ne do të ofrojmë subvencione prej 100 euro në muaj për familjet që i regjistrojnë fëmijët në çerdhet private. Do të krijojmë edhe qendra për kujdesin ndaj të moshuarve në secilin rajon. Arsimi do të lidhet ngushtë me tregun e punës, duke i përgatitur të rinjtë për karriera të suksesshme. Fokus të madh do të kemi edhe në sistemin shëndetësor. Investimet në spitalet rajonale do të ofrojmë shërbime cilësore. Do ta ndërtojmë spitalin rajonal të Prishtinës dhe sistemin kombëtare të emergjencave mjekësore duke krijuar një vend të koordinuar për trajtimin e situatave emergjente. Sigurimet shëndetësore do të bëhen realitet. Transparenca dhe llogaridhënia nuk do të mbeten vetëm fjalë. Për mua ato kanë qenë dhe do mbesin udhërrëfyes i punës sime”, tha Hamza.
Përveç këtyre, Hamza u zotua se do t’i mbështetë bizneset e vogla, për çka shtoi se ato me qarkullim deri në 10 mijë euro do të lirohen nga tatimi. Ai theksoi se do ta eliminojnë tarifën doganore për importin e veturave të reja elektronike.
Ndër të tjera, kandidati për kryeministër i PDK-së premtoi se do të shfuqizohet ligji aktual për tatimin në pronë.
Ndërkaq, në këtë konventë u tha se slogani i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të jetë “Kosova mundet më mirë”.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kjo parti është e pathyeshme dhe testament i qëndrueshmërisë e sukseseve. Ai u shpreh i bindur se Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova.
Përveç tjerash, Krasniqi nderoi dy ish-kryetarët Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, me ç’rast u transmetua një video që përshkruan rrugëtimin e tyre së bashku me sukseset e Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së.
“Kjo konventë ka të bëjë me atë që mund ta ndërtojmë kur bashkohemi drejt një misioni, drejt një vizioni, drejt një ëndrre për një Kosovë më të mirë…Partia Demokratike e Kosovës është e pathyeshme. Partia Demokratike e Kosovës është testament i qëndrueshmërie dhe guximit. Por edhe i adaptimit dhe ndryshmit për të mirën e vendit. Është testament i punës dhe i sukseseve dhe për këtë dëshmojnë të arriturat historike të vendit tonë të cilat bartin vulën e PDK-së…Unë ju siguroj që te Bedriu Kosova nuk do të gjejë thjeshtë një kryeministër, por një njeri të vendosur për ta bërë vendin tonë më të fortë, më krenar dhe më të mirë. Kosova ka nevojë për Bedri Hamzën…Me bindje të plotë e kam nominuar kandidat për kryeministër Bedri Hamzën. Këtë e kam bërë për shumë arsye, por ua them një që i përmbledh të gjitha: Unë jam i bindur që Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund të ketë sot Kosova. Kosovën duhet ta bëjmë më të mirë”, tha Krasniqi.
I pa kompromis për të ndjekur ligjin e kryerja e punëve në mënyrën më të mirë, profesionale dhe korrekte, janë fjalët me të cilat e përshkruan Doruntina babanë e saj kandidat për të parinë e qeverisë së ardhshme Bedri Hamzën.
“Duke qenë fëmija më i madh në familje, duke u rritur e kam pasur fatin që shpesh të jem edhe në ambientet e tij të punës. Të shoh se si është i pa kompromis për të ndjekur ligjin. Për të parë se si bëhet puna mirë, në mënyrë profesionale dhe korrekt. Mbi të gjitha, e kam parë pas punës duke i kthyer në shtëpi për t’iu bashkuar familjes në një darkë të vonë ose të shikojë një lojë futboll me Ensarin. Shumë prej juve e keni dëgjuar babanë që do të ndërtojnë stadiume, që do ta përkrahë sportin, por nuk e keni dëgjuar babanë duke folur për futboll sidomos kur në shtëpi është El Clasico… Shumë prej juve e keni dëgjuar babanë duke folur për numra dhe ekonomi, por nuk e keni dëgjuar duke folur për Diellzën, për më të rejat në teknologji dhe inteligjencën artificiale që me disa pajtohet e me disa jo”, tha ajo. /Z.Zeneli/
Të tjera
-
Shala: Kjo qeveri ka thelluar edhe degradimin mjedisor
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Ferat Shala ka thënë se ...
-
Biden: Rizgjidhja e presidentes proevropiane në Moldavi, dëshmi e “dështimit” të Rusisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka uruar të hënën presidente...
-
Nagavci: Arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës është prioritet i ynë qeverisës
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se arsimi cilësor dhe gjithëpër...
-
Visar Azemi: Në tri vitet e fundit çmimi i rrymës është rritur 25.8%, partia në pushtet prezanton shifra të pavërteta
Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka th...
-
Dëshmia e Shukri Bujës mbetet të vazhdojë për nesër
Ka përfunduar për sot dëshmia e ish-komadantit të UÇK-së, Shukri Buja në Gjyk...
-
Osmani në takimin me Battel diskutoi për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ministrin e Jashtëm të...
-
BE insiston në Asociacionin e 2013-ës, Qeveria i përgjigjet se ai dokument s’ka nënshkrim
Bashkimi Europian po insiston se themelimi i Asociacionit të Komunave me shum...
-
Aksident i rëndë trafiku në autostradë, policia dhe ambulanca në vend të ngjarjes
Një aksident trafiku ka ndodhur orët e pasdites e sotme në autostradë, në hyr...
-
Kosova nënshkruan memorandum me Luksemburgun për mbështetje të sektorit privat
Mes Kosovës dhe Luksemburgut është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, pë...
-
Mustafa: Konventa e PDK-së ka shkaktuar panik tek VV-ja, do t’i rrisim pagat 50%, pensionin minimal do ta bëjmë 200 euro
Zyrtari i PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për pu...
-
Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Orban fton Ramën të enjten në Budapest
Me ftesë të homologut hungarez Viktor Orban, Kryeministri i Shqipërisë Edi Ra...
-
Lladrovci: Kosova që katër vjet e vuan mungesën e heronjve të saj të luftës dhe paqes
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci është shprehur se tash e katër vjet, Kos...