Lajme

13 ditë bllokadë – Krejt çka ndodhi në veri, deri tek marrëveshja

Autori: Gazeta inFokus 09:22 | 02 October 2021

Tash e 13 ditë, veriu i Kosovës është i bllokuar. Në Jarinjë e Bërnjak, janë vendosur barrikada nga qytetarët serbë, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targa. Por, çfarë ndodhi atje gjatë këtyre ditëve dhe si u arrit marrëveshja për largimin e barrikadave dhe policëve të Speciales?

Mëngjesin e së hënës së 20 shtatorit, policët e Njësisë Speciale të Kosovës ia mësynë veriut.

Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës u pozicionuan në vendin ku më parë ka qenë pika kufitare në Jarinjë.

-Advertisement-

Kjo pasi ishte paralajmëruar se atë ditë do të fillonte vënia e “tabelave provuese” për veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi, qytetarët serbë bllokuan rrugët që dërgojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. Ata vendosën atje bllokada, duke pamundësuar kalimin me automjete.

Që prej asaj dite, ata kanë protestuar dhe e kanë kaluar natën në tenda.

Kohë pas kohe, ka pasur tensionim të situatës. Madje, ishin publikuar edhe pamje të ushtrisë serbe në Rudnicë, vend afër kufirit me Kosovën.

Por, që të enjten, reporteri i televizonit serb N1 raportoi se ushtria serbe që gjendej në afërsi të Jarinjes në Rudnicë është tërhequr nga aty dhe janë vendosur në Rashkë.

Për të gjetur zgjidhje për këtë situatë, u organizuan edhe takime në Bruksel.

Pas takimeve dy ditore, u arrit edhe marrëveshja.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak njoftoi se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pikëkalimet kuftitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

“E kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalim dhe rrugën përpara sapo është arritur. E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak.

Marrëveshja përmban tri pika, që përfshijnë zhbllokimin e rrugëve për në Jarinjë dhe Bërnjak bashkë me pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës duke filluar nga sot.

Largimi i tyre pritet të fillojë në orën 08:00 dhe të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.

Sipas marrëveshjes, nga e hëna Kosova dhe Serbia do të përdorin afishe për automjetet që vijnë nga njëra-tjetra. Kjo do të shërbejë si masë e përkohshme.

Po ashtu, një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë dhe i kryesuar nga BE-ja, do të krijohet për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave. Takimi i parë i Grupit të Punës është paraparë të mbahet më 21 tetor në Bruksel.

Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një zgjidhje të përhershme.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar tha se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Ai po ashtu tha se Kosova ka pasur të drejtë të vendosë reciprocitetin, por Uashingtoni u befasua me mënyrë e zbatimit të këtij vendimi.

“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja është vendi i duhur për të gjetur zgjidhjen dhe falënderoj të dërguarin e Posaçëm të BE-së, (Mirosllav) Lajçak dhe ekipin e tij për punën e madhe që kanë bërë”, tha Escobar gjatë një konference për media në Bruksel më 30 shtator.

“Mësimi është që në partneritet me BE-në mund të bëjmë një përparim në ndihmën e Ballkanit që të integrohet më shumë me BE-në pas një periudhe të vështirë në të cilën kaloi rajoni”, shtoi ai.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe se varet nga vullneti politik i palëve.

Kur u pyet se a kanë qenë të informuar nga pala kosovare se do ta vendosin masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, zyrtari amerikan tha se “Kosova ka pasur të drejtë ta bëjë këtë”, por se u befasuan me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.

“Kosova ka të drejtë në reciprocitet dhe kjo ka qenë e ditur. Por, u zumë shumë në befasi me mënyrën e zbatimit. Por, këtë e prisnim që të ndodhë në një moment. Jemi të lumtur që siguruam uljen e tensioneve”, tha ai duke shtuar se duhet gjetur zgjidhje afatgjate për çështjen e targave.

Ndërkohë, NATO-ja tha se mirëpret marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Në një deklaratë për media, zëdhënësja Oana Lungescu tha se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, “do të luajë një rol themelor, për të siguruar zbatimin efektiv” të marrëveshjes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera