Lajme

11 profesorët e zgjedhur deputetë duhet të pezullojnë punën në universitete

Autori: Gazeta inFokus 13:21 | 30 April 2021

11 profesorë të zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës kanë gjetur veten në mes të një zgjedhjeje të rëndësishme: të tërhiqen nga mandati si ligjvënës apo të pezullojnë punën në universitete.

Në adresë të tyre, Naser Sahiti, rektori i UP-së, ka nisur sot një kërkesë drejtuar secilit prej 11 deputetëve që të pezullojnë punën e tyre si profesorë në Universitetin e Prishtinës. Ata, mund të mbajnë funksionin si profesor vetëm në qoftë se zgjedhin të tërhiqen nga mandati i deputetit.

Kërkesa e Rektoratit të UP-së bazohet në një opinion të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me çështjen e pezullimit të punës së stafit akademik të Universiteteve Publike dhe të gjithë personelit arsimor të shërbimit publik në rastin kur zgjidhen deputetë, raporton Gazeta Insajderi.

-Advertisement-

Një kërkesë e tillë i ka shkuar sot profesoreshës së Fakultetit Ekonomik, Hykmete Bajramit, e zgjedhur për të shërbyer si deputete në legjislaturën aktuale të kuvendit.

“Opinionin ligjor nuk e kam pranuar, por bazuar në këtë opinion rektori i Universitetit të Prishtinës na ka bërë kërkesë secilit prej profesorëve që kanë mandat të deputetit, të pezullojnë punën”, ka thënë Bajrami në një bisedë telefonike me Insajderin.

Ish-ministrja e Financave ka bërë zgjedhjen e saj në mes të kuvendit dhe universitetit.

“Unë e kam pezulluar punën në Fakultetin Ekonomik”, ka nënvizuar Bajrami, e cila ka kontestuar korrektësinë e Ligjit për Zyrtarët Publikë përkitazi me pamundësinë e shërbimit, në të njëjtën kohë, si profesor dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sipas Bajramit, pezullimi i punës në universitet nga 11 profesorë që shërbejnë në kuvend, “do ta varfërojë shumë kualitetin” në Kuvendin e Kosovës dhe asambletë komunale.

Ligji për Zyrtarët Publikë nuk ua lejon të njëjtëve të mbajnë edhe pozitën e deputetit edhe profesorit universitar. Ky ndryshim ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2019.

Pika 6 e Nenit 22 të këtij Ligji thotë se: Në rast të zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës se certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundimin e mandatit përkatës, në pozitën ekuivalente.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera