Kulturë

101 vjet kryeqytet – nga Tirona, tek Tirana

Autori: Gazeta inFokus 09:39 | 12 February 2021

Shkurti i vitit 1920 kishte nisur si krejt muajt e tjerë për banorët e Tiranës. Pra, për tironsit.

Shqipëria ishte e trazuar dhe në gjendje të jashtëzakonshme.

Por, kjo ishte diçka e zakonshme. Shqiptarët kishin kohë që e jetonin zakonshëm, pazakonshmërinë.

-Advertisement-

Mes paktesh dhe kongresesh, që i zinin radhën njëri-tjetrit, pikëpyetjet për formatin po zëvendësoheshin nga ato për ekzistencën e shtetit shqiptar.

Disa ditë më parë, në Lushnjë, ishte mbajtur një tjetër kongres, për ta rrëzuar qeverinë e dalë nga kongresi paraprak, në Durrës.

Që akti të çohej deri në fund, duhej që qeveria e re ta zinte vendin e asaj të vjetrës, që akoma mbrohej nga armët italiane.

Mësymja nuk doli me sukses.

Durrësi nuk u mor. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u zmbraps. Në Tiranë.

Kështu, qyteti i vogël u kthye në arenë të ngjarjeve të mëdha. Dhe, më pas në kryeqytet të shtetit që po merrte formë dhe po çimentonte ekzistencën e vet.

Historia tregon se më 11 shkurt 1920 në Tiranë mbërriti gjithë qeveria shqiptare e drejtuar nga Sylejman Delvina. Ajo u vendos në ndërtesën e parë që ndodhej në fillim të rrugës së Elbasanit.

Qeveria u prit ngrohtë nga populli i Tiranës, që u ndjenë krenarë se përnjëherësh qyteti i tyre u bë qendra e Shqipërisë.

Profesor Kristo Frashëri, historian, në një nga librat e tij shkruan se delegatët atëkohë pyetën me të drejtë: “A ka ndërtesa Tirana për zyrat e qeverisë dhe institucionet e tjera shtetërore? Dhe përgjigja e përfaqësuesve nga Tirana ishte: Edhe nëse nuk kemi, do t’i ndërtojmë”.

Në fakt Tirana atë kohë ishte pa rrugë të shtruara dhe pa një qendër të vërtetë. Gjithsesi qyteti mori shumë shpejt formën e nje kryeqendre.

Sot, Tirana është qyteti më i madh i Shqipërisë dhe qendra më e madhe ekonomike, administrative, politike, industriale, mediale, akademike, sociale dhe kulturore e vendit.

Ajo ndodhet në qendër të Shqipërisë, rreth 35 km në lindje të Durrësit dhe rreth 40 km në veri-perëndim të Elbasanit, në një luginë të rrethuar nga Mali i Dajtit në lindje, kodrat e Kërrabës dhe Saukut në jug, kodrat e Vaqarrit dhe Yzberishtit në perëndim dhe ato të Kamzës në veri.

Historia e themelimit të Tiranës është mbi 500 vjeçare.

Qyteti u themelua në vitin 1614 nga Sylejman pashë Bargjini, me origjinë nga fshati Mullet dhe u përmend për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut.

Gjatë gjithë historisë së saj ajo ishte një qendër romake (Theranda) dhe bizantine (periudhën e zgjerimit të saj të parë).

Ajo u pushtua në shekullin e pesëmbëdhjetë nga Perandoria turko-osmane, i cili ndikoi dhe ndryshuar politikën, shoqërinë, kulturën, arkitekturën dhe fesë në shekujt e mëvonshëm.

Në fakt, Tirana ka qenë gjithnjë një kryqëzim mes rrugëve të hershme edhe pse kjo nuk thuhet shumë në histori.

Rruga nga Dalmacia kalonte në Ulqin, Shkodër, Lezhë dhe shkonte në lindje të vendit duke kaluar në rrethinat e Tiranës, përmes Qafë Kërrabës, Elbasan.

Një tjetër rrugë e rëndësishme ishte Rruga Egnatia e cila lidhte gjithe qytetet qendrore të Shqipërisë dhe vazhdonte drejt Manastirit, Selanikut e Stambollit.

Tirana ishte në kryqëzim të kësaj rruge që lidhte Veriun e vendit me detin duke kaluar përmes Shën Gjergjit.

Një tjetër rrugë që vinte nga Kavaja dhe shkonte në Ndroq, permes Ura e Beshirit, Qafa e Tujanit dhe vazhdonte ne Dibër e Maqedoni.

Nëse shihni këto tre rrugë, kryqëzoheshin në Tiranë, në Sheshin Skenderbej.

Qyteti dhe sheshi kryesor i tij janë jo vetëm kryqëzim i rrugëve, por edhe kryqëzim i fateve të përveçme dhe fateve historike të shqiptarëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera