Fun & Video

100 vajza nga Kosova me emrin Valbona vizitojnë luginën e Valbonës

Autori: Gazeta inFokus 13:13 | 11 December 2018

100 vajza nga Kosova që mbajnë emrin Valbona vizituan ditët e fundit parkun Kombëtar të Valbonës në Tropojë.

Gjatë vizitës së organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, 100 Valbonat shijuan bukuritë përrallore të vendit nga është dhe origjina e emrit të tyre.

Pas vizitës në peizazhet e bukura të Valbonës, për nder të tyre, Ambasada shtroi një drekë me gatime tradicionale të zonës, shoqëruar me një program artistik me këngë e valle, nga artistët e ftuar, por edhe nga vetë Valbonat.

-Advertisement-

Në këtë vizitë vajzat nga Kosova shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Kjo vizitë e vajzave me emrin Valbona, vjen pas atyre të organizuara në Sarandë dhe Vlorë, ku vajzat kosovare u njohën me qytetet bregdetare, emrat e të cilëve mbajnë.

Në qëndrimin e tyre në Vlorë 28 vajzat gjatë muajit tetor vizituan Muzeun e Pavarësisë, si dhe kalanë e Kaninës.

Ndërsa 40 Sarandat në vizitën e tyre në shkurt të këtij viti shijuan bukurinë dhe u njohën me qytetin bregdetar të Sarandës.

Më herët ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka bërë të ditur se kjo iniciativë do të vazhdojë edhe për vajza dhe djem që mbajnë emra të tjerë si Berati, Drini, Shkumbini etj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera