Sport

10 transferimet e kësaj vere, secili mund t’i kalojë 100 milionë eurot

Autori: Gazeta inFokus 12:44 | 14 May 2019

Merkatoja e kësaj vere në futboll pritet të ketë lëvizje të bujshme, me shuma të mëdha parash. Fakti që disa top-klube do të përfshihen në projekte reformuese (Real Madrid, Manchester United, Bayern Munich…), mund të thyhen dhe të vendosen rekorde të reja në transferimet e lojtarëve.

Disa nënshkrime pritet ta kapin, ose ta kalojnë shifrën e 100 milionë eurove, e cila u vendos si rekord për herë të parë, kur Real Madrid mori Gareth Bale te Tottenham. Më pas, ky “stacion” u tejkalua kryesisht nga Neymar dhe Mbappé, që ikën te PSG, apo Coutinho te Barcelona.

Këtë verë, disa nënshkrime mund ta tejkalojnë sërish këtë shifër dhe të vazhdojnë ta zgjerojnë listën e lojtarëve, që kanë kushtuar më shumë se 100 milionë euro.

-Advertisement-

Eden Hazard
Belgu është emri i verës në “Santiago Bernabeu”. Me sa duket, Hazard e ka vendosur tashmë të ardhmen e tij dhe Real Madridi do të paguajë afër 100 milionë euro për ta veshur në të bardhë. Përpara, ai ka ndeshjen e fundit me blutë e Londrës, finalen e Ligës së Europës. Me Champions-in e siguruar për sezonin e ardhshëm, Eden do të përpiqet ta mbyllë eksperiencën e tij te Chelsea duke fituar trofeun europian ndaj Arsenalit.

Bale
Gareth Bale i kanë mbetur edhe pak ditë në Madrid. Uellsani e ka të qartë se Zidane nuk e llogarit, ndërsa klubi i bardhë është i hapur të presë oferta për të. Sulmuesi ka një imazh të mirë në Angli dhe përsëri mund ta tejkalojë shumën e parave, falë të cilës mbërriti në “Shtëpinë e Bardhë”. Sipas gjasave, ai do të përfshihet në operacione të tjera të merkatos, si Pogba apo Eriksen.

Pogba
Mesfushori i Manchester United është vendosur në qendër të vëmendjes së Real Madridit. Pogba është një nga të preferuarit e Zidane. Trajneri francez e llogarit atë pjesë të projektit reformues të “Los Blancos”. Tani, është presidenti Perez që duhet të lëvizë, edhe pse Manchester United nuk do ta lejojë largimin e yllit të vet për asnjë çmim. Në Angli thonë se “Djajtë e Kuq” nuk futen në negociata me askënd pa të paktën 150 milionë euro.

Eriksen
Një tjetër mundësi për mesfushën e Real Madridit. Siç raportohet nga “AS”, tashmë ka marrëveshje verbale midis lojtarit dhe klubit të bardhë. Eriksen nuk ka dashur të rinovojë me Tottenham (i përfundon kontrata më 2020) dhe klubi nga Londra ka vendosur ta shesë këtë verë, që të mos e humbasë falas. Presidenti i “Spurs”, Daniel Levy, kërkon 100 milionë. Bisedimet mund të vështirësohen, nëse Tottenham largohet si kampion i Europës më 1 qershor, nga “Wanda Metropolitano”.

Isco
Reforma e mesfushës së “Los Blancos” nuk bazohet vetëm te përforcimet, por edhe te largimet e mundshme. Isco, pas një sezoni të vështirë, mund të largohet nga Real Madridi këtë verë. Zidane nuk e ka përjashtuar nga planet e së ardhmes, përkundrazi, por ish-lojtari i Malaga nuk i ka të gjitha “valencat” në rregull, që të qëndrojë.
Isco ka mjaft kërkesa në Europë. Pirlo i kërkoi Juventusit ta blinte, nëse do që të fitojë Champions-in, ndërsa PSG ka gati megaofertën për të. Ashtu si Bale dhe Kroos, nëse largohen nga kryeqyteti spanjoll, në mënyrë të qartë do t’i tejkalojë 100 milionë eurot transferimi i tij.

Griezmann
Futbollisti francez përflitet sërish në merkato, si verën e kaluar. Sipas “Cadena SER”, mjedisi i lojtarit ka lënë një rrugë të mundshme hapur për te Barcelona. Klauzola e largimit të tij nga Atletico Madrid është e përcaktuar, 200 milionë euro, por më 1 korrik do të reduktohet në 120 milionë euro. Një çmim më shumë se interesant për një nga sulmuesit më të mirë në Europë.

Coutinho
Nëse mbërrin Griezmann, Barcelona do të ishte e mbipopulluar në repartin ofensiv dhe mund të largohej Philippe Coutinho. Braziliani nuk ka arritur nivelin më të mirë dhe adaptimi i tij te katalanasit nuk është i lehtë. Ai është përballur me stolin dhe është vërshëllyer nga tifozët. Për të ka mjaft të interesuar: Chelsea, PSG, Manchester United dhe Juventus. Më konkretisht, blutë e Londrës ofrojnë 100 milionë euro për ta kthyer në Premier League.

Dybala
Paulo Dybala nuk po kalon momentin më të mirë në Torino. Marrëdhënia e tij me Allegrin nuk është ideale. Argjentinasi ka parë se ardhja e Cristiano Ronaldos e ka ulur rëndësinë e tij në ekipin bardhezi. Paulo mund të mendojë ta “ndryshojë ajrin”. Sipas “The Sun”, Manchester United qëndron prapa “La Joya” dhe do të bëjë një ofertë prej më shumë se 100 milionë euro.

Sancho dhe Joao Felix
Jadon Sancho dhe Joao Felix po përjetojnë një situatë të ngjashme. Të dy janë në listën e të rinjve më premtues në Europë dhe një klub europian i klasës së mesme iu lejon atyre të rriten më shumë, para se të ngjiten në krye. Për këtë hezitojnë të lëvizin, sepse mund të humbasin minutat e aktivizimit te Juventus, apo diku tjetër. Manchester United është prapa anglezit të ri të talentuar, ndërsa Dortmund e ka vlerësuar 115 milionë euro. Për Sancho flitet se ka interes edhe nga Real Madridi me Barcelonën. Në Lisbonë e kanë vlerësuar Joao Felix sipas klauzolës në kontratë: 120 milionë euro. Bordi drejtues dëshiron që ai të qëndrojë një vit më shumë, në mënyrë që të rritet edhe më.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera