Sport

⚽️ Politika shqetëson sportin

Autori: Gazeta inFokus 15:11 | 12 May 2017

Rrëzimi i Qeverisë dhe shpërbërja e Kuvendit të Kosovës e ka çuar vendin në zgjedhje të parakohshme nacionale. Situata politike që është krijuar në Kosovë nuk i konvenon aspak as sportit kosovar.

Shumë projekte të nisura në interes të sportit rrezikojnë të stagnojnë, gjë që po e shqetëson komunitetin sportiv në vend, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Situata e krijuar politike në vend ka ngjallur shqetësim edhe në kampin e kampionëve më të mëdhenj të Kosovës, në atë të xhudos, pjesë e të cilit është edhe kampionia olimpike Majlinda Kelmendi.

-Advertisement-

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, tashmë ka nisur projekte dhe përgatitje sportive për t’i çuar në Lojërat Olimpike të vitit 2020 së paku tre reprezentues nga xhudoja e Kosovës, por në misionin e tij rol shumë të rëndësishëm luan kategorizimi i sporteve në vend, proces ky i vonuar dhe ende i papërfunduar. Kuka shpreson që finalizimi i procesit të kategorizimit të sporteve në Kosovë të kryhet sa më shpejt.

“Si duket puna që do të duhej të shtyhej nga Komiteti Olimpik i Kosovë (KOK), e besa edhe nga federatat sportive që do të duhej ta ngrenë zërin, sërish po mbetet temë e zërave të rrallë të njerëzve të sportit. Potencialisht tani kjo mund të mbetet pa u nënshkruar edhe për këtë mandat”, ka theksuar Kuka. “Po presim që edhe kategorizimi të nënshkruhet këto ditë sepse është finalizuar dhe ka mbetur vetëm formalizmi. Shpresoj që kjo të ndodhë”, ka përfunduar ai.

Por drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, ka siguruar komunitetin sportiv se të gjitha projektet e nisura do të vazhdojnë drejt përfundimit sipas dinamikave të parapara dhe se nuk “do të viktimizohen” nga ngjarjet politike në vend.

“Punimet në stadiumin ‘Adem Jashari’ dhe në atë të Prishtinës dhe të gjitha projektet do të shkojnë sipas dinamikës së paraparë. Nuk është bërë kiameti në institucione, ministrat ndërrohen, shkon njëri vjen tjetri, kurse ne jemi këtu që t’i çojmë përpara punët e nisura”, tha për “Zërin” Alaj, i cili si zakonisht me përtesë u përgjigjet pyetjeve se a do të kryhen me kohë projektet, barrën e të cilave vetë e ka marrë mbi vete.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera