Kulturë

​Vdiq sot këngëtarja Shahindere Bërlajolli-Stafai, repertori i saj është vlerë për këngën shqipe

Autori: Gazeta inFokus 13:47 | 03 May 2020

Ka vdekur sot këngëtarja e njohur me prejardhje nga Peja, Shahindere Bërlajolli.

Ajo rrjedh prej një familje vendase të qytetit të Pejës, familje kjo e njohur për kontribut të vlerave të profileve të ndryshme brenda familjes. Që nga viti 1959, në moshën 13 vjeçe, Shahinderja bëhet solistja e parë më e reja profesioniste në muzikën artistike popullore.

Hitet e mëdha të Shahinderes sot përpunohen nga këngëtarë të ndryshme të estradës shqiptare. U martua me kompozitorin e njohur Enver Stafai në Gostivar, me këngët e së cilit triumfoi 5 vite radhazi në festivalin e vetëm të asaj kohe Akordet e Kosovës.

-Advertisement-

Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese.

Në Qershor 1970, Shahindere Bërlajolli merr pjesë në “Akordet E Kosovës 1970” me këngën “Vaji I Vashës”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas vdekjes së këngëtares së njohur, Shahindere Bërlajolli, ka thënë se ajo me dekada dha kontribut për pasurimin e thesarit të këngës shqipe dhe është vlerë e madhe për trashëgiminë tonë kulturore.

“Vdekja e saj është një humbje e madhe për të gjithë, prandaj u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, artdashësve dhe gjithë të afërmve të saj”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi u ka shprehur ngushëllime familjes së këngëtares Shahindere Bërlajolli – Stafaj, duke thënë se ajo me zërin e saj unik, i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji.

“Repertori i saj i pasur gjysmë-shekullor, është vlerë për këngën dhe lirikën shqipe. Me dashuri do t’i kujtojmë përherë këngët e saj origjinale popullore “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules” etj. Me këto këngë u rritëm gjenerata të tëra. Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare. Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme muzikore te saj, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe artdashësve.

Ndërkohë, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar se Shahindere Bërlajolli-Stafaj bashkë me plejadën e artë të muzikës së viteve ‘70, krijoi identitetin kulturor të Kosovës.

“Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit artistik mbarëshqiptar”, ka shkruar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera