Rajoni dhe Bota

​Vaksina antiCOVID-19 mund t’ju shndërrojë në majmun? Rusia akuzohet për përhapjen e teorive të konspiracionit

Autori: Gazeta inFokus 23:05 | 18 October 2020

Rusia është akuzuar për fillimin e një fushate në një përpjekje për diskreditimin e vaksinës antikoronavirus që po zhvillohet nga shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit duke pretenduar se ajo do t’i shndërrojë njerëzit në majmunë.

Imazhe dhe video kanë qarkulluar në mediat sociale së bashku me pretendimet e çuditshme në lidhje me vaksinën e cila përdor virusin e shimpanzesë dhe pretendohet se i shndërron njerëzit në majmunë.

Pretendimet thonë se vaksina e AstraZeneca, e zhvilluar në Britaninë e Madhe do të jetë e rrezikshme, raporton Daily Mail. Informacioni i rremë u transmetua gjithashtu në programin televiziv Vesti News të Rusisë.

-Advertisement-

Besohet se fushata ka filluar në vendet ku Rusia shpreson të lansojë vaksinën e saj Sputnik V. Profesori Pollard pranë Universitetit të Oksfordit tha për BBC Radio 4 se e gjitha kjo është pjesë e lajmeve të rreme, me qëllim të minimit të përpjekjeve për gjetjen e një vaksine efektive antiCOVID-19.

“Vaksina e tipit që kemi, është shumë e ngjashme me një numër vaksinash të tjera, duke përfshirë edhe vaksinën ruse. Të gjitha përdorin virusin e përbashkët të ftohjes nga njerëzit ose shimpanzetë. Për trupat tanë, viruset duken njësoj. Ne nuk kemi shimpanze të përfshira në procesin e krijimit të vaksinës,” tha ai, raporton Daily Star.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat për propagandë ndaj zhvilluesve tjerë të vaksinave. Një zëdhënës nga Ambasada ruse në Londër tha se akuzat ndaj Rusisë se po përhap lajme të rreme kundër vaksinës së AstraZeneca nuk qëndrojnë. Ai tha se akuzat synojnë të diskreditojnë përpjekjet e Rusisë në luftimin e pandemisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera