Shtrenjtimi i energjisë elektrike i papërballueshëm për qytetarët, propozohet aplikimi i bllok-tarifave
Autori: Gazeta inFokus 11:07 | 16 January 2022
Shtrenjtim të energjisë elektrike prej 30 deri në 40 përqind ka kërkuar KEDS nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, por janë qytetarët ata që thonë se një rritje e tillë e faturave do të ishte e papërballueshme për standardin e tyre të jetesës. Ndërkohë nga shoqëria civile propozojnë që të shkohet me aplikimin e bllok tarifave, gjë e cila do të ndikonte në kursim më të madh të energjisë elektrike.
Zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, thotë se kërkesa e tyre drejtuar ZRRE-së ka ardhur si pasojë e ngritjes së çmimit të importit.
“Ne kemi bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm, sa i përket çështjes së çmimit, kjo është e drejtë ekskluzive që i takon organit vendimmarrës që në këtë rast është ZRRE. Ne si KEDS dhe KESCO nuk mund të komentojmë sa do të jetë rritja, por sa i përket kërkesës të cilën ne e kemi paraqitur, është diku rreth 30-40 përqind kërkesë për ngritje të çmimit, mirëpo sigurisht që vendimin final apo fjalën e fundit do ta thotë ZRRE”, thotë ai.
Ai thotë se aktualisht konsumatorët janë duke pasur furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe se nuk janë duke u aplikuar reduktime, megjithatë, thotë se ditëve të fundit është rritur konsumi i energjisë edhe për shkak të uljes së temperaturave.
“Me uljen e temperaturave rritet edhe konsumi nga ana e konsumatorëve tanë, në veçanti nga ata të cilët e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje, pra që është një numër i konsiderueshëm i tyre dhe sigurisht që pastaj kjo reflekton drejtpërdrejtë edhe në mbarëvajtjen e sistemit elektroenergjetik në vend. Mirëpo ne deri më tash kemi mundësuar që ky furnizim të jetë stabil dhe sigurisht që me përmirësimin e temperaturave presim që një gjë e tillë të vazhdojë edhe më tutje. Para disa ditëve ne e kemi thyer rekordin e konsumit i cili ka arritur (në kohë piku) deri në 1 mijë e 250 megavat dhe sigurisht që një gjë e tillë ka ardhur si rezultat i konsumit të lartë… Sa i përket çështjes në fjalë, aktualisht importi është duke u mbuluar nga KEK-u, si dhe nga KEDS dhe KESCO, pra është duke u mbuluar konsumi i konsumatorëve tanë, mirëpo do të presim të shohim si do të vijojë kjo situatë, meqenëse siç e potencova më herët jemi në një situatë krize energjetike”, thotë ai.
Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation, thotë për KosovaPress, se rritje të çmimit të energjisë elektrike do të ketë për shkak të rritjes së çmimit të importit, por që potencon se do të kishte qenë më mirë nëse shkohet me aplikimin e bllok-tarifave.
“Si kërkesë e jona kish me ardhë që në fakt, në këtë rast ZRRE, përveç që shqyrton çmimin e energjisë, ta rishqyrtojë gjithashtu edhe futjen prapë në sistem të bllok-tarifave, në mënyrë që qytetarët të cilët konsumojnë më pak, të paguajnë më pak, ndërsa ata të cilët nuk kursejnë energjinë, t’iu faturohet energjia më shtrenjtë… Bllok-tarifa ka rezultuar të jetë një mekanizëm i mirë edhe në bazë të analizave që i kemi bërë ne si shoqëri civile, duke i pa se sa ka ndikuar në rritjen e konsumit të energjisë për familje. Në fakt ky ka qenë një ndër mekanizmat që diku 81 përqind e qytetarëve janë sjellë më ndryshe në kohën kur bllok-tarifat kanë qenë…Ne kemi bërë thirrje dhe mendojmë që menaxhmenti i ZRRE-së, ka një qasje më të pranueshme ndaj këtij propozimi, kështu që ne nuk do të ndalemi së avokuari për këto ndryshime dhe shpresoj shumë që do të hasin në vesh që dëgjon dhe vepron”, thotë ajo.
Në anën tjetër, janë qytetarët ata që thonë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë e papërballueshme për ata, duke përmendur edhe faktin se edhe produktet ushqimore janë shtrenjtuar kohët e fundit.
Osman Daku thotë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të rëndojë gjendjen ekonomike të qytetarëve, edhe ashtu të rënduar.
“Çdo artikulli që i rritet çmimi duhet me pas një analizë paraprake në bazë të çka vjen deri te rritja e saj, si rritet çmimi i atij artikulli në këtë rast që po flasim për rrymën duhet me pas një analizë paraprake për çka po rritet. Mandej duke e pasur parasysh edhe të ardhurat që kanë qytetarët, sa të ardhura kanë, sa është buxheti, sa është mundësia e tyre që ta përballojnë atë ngritje të atij çmimi… Aq sa rritet çmimi, aq bie standardi”, thotë ai.
Edhe qytetarja Pranvera Rufati, thekson se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë negativisht në standardin e jetës së qytetarëve.
“Dihet çfarë standardi ka popullata jonë sidomos pensionistët, ndihma sociale, ajo ka me ndiku shumë negativisht …, shumë negativisht do të ndikojë në standardin e popullsisë”, tha ajo.
Qytetari tjetër, Enver Hoti thotë se institucionet nuk po e kanë parasysh standardin në të cilin jetojnë qytetarët e Kosovës me lejimin e shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.
“Standardi është tepër i ulët dhe çfarëdo rritje minimale me qenë standardin e popullatës e qet në dy gjunjët”, thotë ai.
Ndërkohë, shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.
Të dhënat e detajuara rreth kësaj strukture, ZRRE paralajmëron se do t’i bëjë publike në fillim të muajit shkurt.
Të tjera
-
Moti i keq, Policia thirrje vozitësve: Kujdes, ka aksidente nëpër rrugë të vendit dhe autostrada
Orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqërua...
-
“Përgaditu se unë jom karatist”- Momenti kur moderatori shpërthen në të qeshura, pasi Jahja Koka ia thotë këtë gjë
“Përgaditu se unë jom karatist”, ishte një nga fjalitë dhe momentet që bëri m...
-
LAJMI I FUNDIT/ Vetura godet për vdẹkje një këmbësor në Krushë të Madhe
Një këmbësor është goditur nga një automjet në fshatin Krushë e Madhe, më sak...
-
Peci ngriti kallëzim penal ndaj tij, reagon Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së: I ka kapë panika
Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së, Paris Guri, ka dalë me një reagim pas...
-
Moti i keq në vend, KESCO del me njoftim për ndërprerjet e rrymës
KESCO përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se për shkak të kushteve atmos...
-
Shi i madh e erëra të forta në Prishtinë, lagjen Lakishte e “merr” uji
Shi i madh e erëra të forta e ka kapluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, shkru...
-
Sërish tërmet në Shqipëri, epiqendra shumë pranë Gjirokastrës
Një tërmet me magnitudë 3.6 i shkallës Rihter është shënuar pak minuta më par...
-
Aksident i rëndë në Prishtinë (PAMJE)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutave në Prishtinë, shkru...
-
Ministri Peci, bën kallëzim penal ndaj zyrtarëve të LDK’së vetëm pse folën për grantet e të afërmve të Fitore Pacollit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë kallxim penal ndaj kryetarit të ...
-
Bislimi takohet me Szłapka, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Repu...
-
Arrestohet një person në Zveçan, i gjenden ạrmë dhe municion në shtëpi
Policia e Kosovës njofton se sot pas pranimit të një informate mbi dyshim...
-
Hapet konkursi për drejtor në 12 klinika të QKUK-së
ShSKUK shpall konkurs për drejtor në 12 klinika në QKUK. Pozitat e kërkuar...