Lajme

​Shala: Vendimi i Kushtetueses i pakthyeshëm, protestat e dhunshme ia zgjasin jetën qeverisë së re

Autori: Gazeta inFokus 18:54 | 29 May 2020

Vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e formimit të qeverisë së re, është i pakthyeshëm dhe nuk duhet të komentohet. Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të linçojë gjykatësit e Kushtetueses pas vendimit që morën të enjten në mbrëmje.

Kështu thotë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala, i cili ndër tjerash thekson se LVV po pranon në mënyrë selektive vendimet e institucionit më të lartë juridik.

Shala thotë për KosovaPress, se në asnjë vend nuk kundërshtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi ato janë të pakthyeshme.

-Advertisement-

Shala: Kur Gjykata Kushtetuese e pezulloi dekretin e Thaçit nga LVV nuk pati reagime
(Video)
“Ju kujtohet se kur Gjykata Kushtetuese përkohësisht e pezulloj dekretin e presidentit Thaçi, atëherë nuk pati reagime. Vetëvendosje ishte e kënaqur dhe këta që janë në opozitë e tash që mendojnë të jenë në pozitë as këta nuk patën reaguar fare. Ishte një situatë që askush nuk reagoi përpos disa zërave të humbur, të cilët as nuk marrin vesh në punët e Kushtetueses, por duan të jenë protagonist dhe flisnin. Ndërsa kur tani Gjykata Kushtetuese si instrumenti më i lartë juridik i një vendi ka marrë një vendim i cili aktualisht i shkon në favor opozitës, ndërkaq e bën opozitë pozitën, kemi reagime që unë i quaj të arsyeshme, mirëpo duhet të kenë parasysh që në asnjë vend që pretendohet që ka institucione vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, dhe janë të pakthyeshme”, thotë Shala për KosovaPress.

Ka tash e disa javë që në sheshet e kryeqytetit kanë filluar përgatitjet për protesta, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Derisa dje është mbajtur edhe për herë të dytë prova për protestë.

Por, pas vendimit të Kushtetueses është paralajmëruar edhe një protestë gjithë popullore më 5 qershor nga militantë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Behgjet Shala, i cili udhëheq KMDLNj, thotë se në rast se këto protesta do të eskalojnë, atëherë do të ketë jetëgjatësi qeveria e re që do të formohet.

Shala: Me protesta nuk mund të kthehet vendimi i Kushtetueses

(Video)

“Në qoftë se bëhen protesta dhe çfarëdo veprimi ju nuk mund të ktheni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai është diçka i pakthyeshëm, nuk e ndërron situatën, dhe nuk e ndryshon raportin e forcave politike. Por, vetëm sa mund ta detyroj atë që proteston në qoftë se del jashtë kornizave të protestës paqësore që të humb politikisht në të ardhmen. Mendoj që pozita e tashme dhe opozita e ardhshme nuk ka çfarë të brengoset sepse mendoj që kjo qeveri që do të formohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri”, shton ai.

Ai i quan edhe jo të ligjshme veprimet e dhunshme që mund të ndodhin pas këtij vendimi të Kushtetueses.

Shala: Nuk është e ligjshme të ketë veprime të dhunshme ndaj këtij vendimi
(Video)

“Nëse këto protesta eskalojnë, po e shihni që ka kundërshtime kryesisht nga LVV e cila nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është e ligjshme të jetë e pakënaqur, por nuk është e ligjshme të merr veprime të dhunshme ndaj këtij vendimi. Po e them se ky vendim është i pakthyeshëm, ju mund ta komentoni edhe pse komentimi nuk i ndryshon hesapet. Kjo situatë nuk ndryshohet, por protestat mund t’i mbajnë, LVV e ka të qartë që zgjedhjet mund të mbahen shumë shpesh”, thekson Shala për KosovaPress.

Të enjten në mbrëmje Gjykata Kushtetuese ka dalë me aktgjykimin rreth çështjes së mandatarit të ri për formimin e qeverisë së re, duke i dhënë kështu të drejtë dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin Avdullah Hoti./Sh.Pajaziti/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera