Lajme

​Qeveria me dialog ta bind BE-në që vettingu është zgjidhja e vetme

Autori: Gazeta inFokus 12:51 | 24 October 2021

Qeveria e Kosova duhet të nis një dialog me Bashkimin Evropian për ta bindur se procesi i vettingut është forma më e mirë për të siguruar një performancë më të mirë, transparencë dhe përgjegjshmëri më të lartë nga institucionet e drejtësisë. Kështu po vlerëson shoqëria civile në Kosovë e cila thotë se kritikat e Raportit të Progresit për vettingut kanë ardhur për shkak se Kosova ka dështuar t’ia dëshmojë BE-së se procesi i vettingut është reformë e nevojshme pasi mekanizmat ekzistues nuk kanë funksionuar.

Në anën tjetër nga Ministria e Drejtësisë thonë se ky komunikim nuk ka munguar dhe se Raporti i Progresit nuk e mbështet aspektin e vettingut të njëhershëm, gjë të cilën sipas tyre as vetë koncept-dokumenti për vettingun nuk e ka paraparë.

Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se procesi i vettingut në Kosovë duhet të përfshijë edhe partnerët strategjikë të Kosovës.

-Advertisement-

Madje sipas saj asnjë hap në drejtim të procesit të vettingut nuk duhet të ndërmerret pa u siguruar që këto reforma të thella në drejtësi janë të përfshira në pakon e zgjerimit të Kosovës.

“Për ne si organizatë vettingu mbetet reforma kryesore dhe më e domosdoshme ky vlerësim i Komisionit Evropian ne konsiderojmë që vije si pasojë e mungesës apo dështimit të qeverisë të arrijë një pajtueshmëri me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë përfshirë edhe BE-në që procesin e vettingut ta plasojë si një reformë e nevojshme pasi që mekanizmat ekzistues në fakt nuk kanë funksionuar. Konsiderojmë që procesi i vettingut nuk duhet të jetë një proces i cili bartet vetëm nga Kosova duhet të jetë proces që kërkon përfshirjen substanciale të partnerëve tanë strategjikë, pa përfshirjen e tyre ne konsiderojmë se një proces i tillë nuk mund të gëzojë kredibilitetit që ne synojmë…..Ne mendojmë që Ministria e Drejtësisë por edhe Qeveria e Kosovës nuk duhet të ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim pa u siguruar që reforma e thellë në sistemin e drejtësisë të jetë i përfshirë në pakon e zgjerimit të Kosovës…MD dhe Qeveria duhet të arrijnë të bindin bashkësinë ndërkombëtare në këtë rast BE që procesi i vettinfut është reforma më e duhur në këtë moment dhe një gjë e tillë mund të bëhet vetëm përmes një dialogu të strukturuar mes qeverisë dhe BE-së“, tha ajo.

Se Kosova duhet të zhvillojë dialog me BE-në për procesin e vettingut e thotë edhe Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Zekaj thotë se kritikat e Komisionit Evropian për procesin e vettingut më shumë i shohin si mungesë e komunikimit me Bashkimin Evropian dhe ministrisë së Drejtësisë për t’u treguar se Kosova ka kapacitete dhe plan për ta zhvilluar këtë proces.

Sipas tij Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë të qartë BE-së se vettingut është alternative e vetme për të ngritur integritetin në sistemin e drejtësisë.

“Kritikat tek Raporti për Kosovën për procesin e vettingut më shumë i kemi parë si një mungesë e dialogut të Ministrisë së Drejtësisë me faktorin ndërkombëtar me këtë rast me Zyrën e BE-së dhe ambasadat tjera mike në Kosovë për të shpjeguar se MD ka koncept të qartë për vettingut, se MD ka kapacitete profesionale për të realizuar një proces të tillë dhe si duket kjo ka munguar në këtë proces gjatë këtij viti për ta dëshmuar tek faktori ndërkombëtar dhe faktori ndërkombëtar e ka marr si breng se nëse zhvillohet një vetting i përnjëhershëm do të mund të cenohet siguria juridike për këta gjyqtarë dhe prokurorë. Derisa kanë gjetur se ka mungesë të integritetit atëherë ne vlerësojmë që vetting është pa alternativ duhet të jetë i pashmangshëm duhet të jetë një vetting i thellë në sistemin e drejtësisë. Por është detyrë e MD që t’ia bëjë të qartë Bashkimit Evropian këtë nevojë që t’ia bëjë të qartë BE se nuk ka alternativë tjetër për ta ngritur integritetin e sistemit të drejtësisë….Me vetë gjetjet për Raportin e Progresit për Kosovën duhet të zgjojmë kërshërinë e Qeverisë përkatësisht MD që të evitojnë kritikat ndaj Zyrës së BE-së dhe faktorit ndërkombëtar por të ulen dhe të ngrisin dialogun me faktorin ndërkombëtar dhe të njëjta t’i adresojnë shqetësimet e faktorit ndërkombëtar me qëllim që të kemi një sistem të mirëfilltë të vettingut dhe të mos i përsërisim gabimet tjera që i kanë bërë vendet tjera“, u shpreh Zekaj.

E në Ministrinë për Drejtësi shprehen se Raporti i Progresit është vetëm kundër vettingut të njëhershëm qasje të cilën sipas tyre nuk e ka rekomanduar as koncept-dokumenti mbi procesin e vettingut tashmë i miratuar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala tha se vetëm përmes procesit të vettingut Kosova mund t’i adresojë të gjitha kritikat e Raportit të Progresit që ka ndër vite për sistemin e drejtësisë.

Lidhur me kërkesën e shoqërisë civile që të vazhdoj një dialog me Bashkimin Evropian për ta bindur për procesin e vettingut, Shala tha se BE ka qenë gjithmonë e përfshirë në draftin e koncept-dokumentit për vettingun.

“Për sa i takon procesit të vettingut raporti shprehet vetëm për vettingun e njëhershëm që nuk është realisht qasja që ka rekomanduar koncept-dokument mbi zhvillimin e procesit të vettingut. Në anën tjetër Raporti i Progresit evidenton probleme të vazhdueshme sa i takon funksionimit të sistemit të drejtësisë i referohet si sistem në fazat e hershme drejtë zhvillimit të një sistem mirë funksional….Një zgjidhje karshi këtij ngërçi sistematik në sistemin tonë të drejtësisë është ndërmarrja e procesit të vettingut……Për gjatë gjithë fazave të hartimit të këtij koncept dokumenti kemi qenë në kontakt me zyrën e BE-së në Prishtinë por edhe me Brukselin i kemi informuar kohë pas kohe për zhvillimet në fjalë u kemi dërguar drafin e koncept-dokumentit për ta shikuar dhe për ta marr mendimin e tyre dhe realisht janë shprehur në faza të ndryshme mbi këtë dokument…. Çështja është se raporti i Progresit në mënyrë sistematike sistemi nuk po funksion sistemi është fazat e hershme sistemi është i ndikuar dhe i ngadalshëm sistemi nuk është efecientë dhe një zgjidhje kundrejt këtyre pohimeve është procesi i vettingut”, u shpreh Shala.

Raporti i Progresit ka paraparë që vettingu të jetë masa e fundit për të matur integritetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa kanë bërë thirrje për zbatim të masave të tjera në këtë aspekt.

Por, zëvendësministrja e Drejtësisë për KosovaPress thotë se po të kishte sistem të vlerësimit siç duhet nuk do përfundonte Kosova me këtë gjendje të rëndë të sistemit të drejtësisë.

Sipas saj edhe grupi punues që është marr me hartimin e koncept-dokumentit për vettingun nuk ka paraparë fuqizim të mekanizmave të tjerë por ka këshilluar të shkohet tutje me hapat për procesin e vettingut.

 

“Po të kishte një sistem të vlerësimit siç duhet nuk do përfundonim në situatën që gjendemi me këtë gjyqësor që është në faza shumë të hershme drejtë një gjyqësor mirë funksional….Grupi punues nuk e ka konsideruar të arsyeshme të rekomandoj ndërmarrje e një nisme të tillë por ka rekomanduar që të vazhdohet tutje me shkuarjen e dispozitave kushtetuese dhe ligjin mbi vettingut për ta jetësuar mekanizmin e vettingut”, theksoi zëvendësministrja e Drejtësisë.

Raportit i Progresit i vitit 2021 për Kosovën lidhur me procesin e vettingut thotë se Qeveria ka shqyrtuar disa opsione për një proces për “vetting” të gjyqësorit dhe prokurorisë derisa prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz.

“Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, thuhej në Raport.

Lidhur me kritikat e Raportit të Progresit të vitit 2021 për Kosovën për procesin e vettingut ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cil konstatimet e BE-së i ka konsideruar si të papranueshme, pasi sipas saj vettingu është i domosdoshëm dhe e vetmja mënyrë për t’i arritur synimet të cilat po i kërkon Bashkimi Evropian.

Ndërsa, në fillim të këtij muaji qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për procesin e vettingut dhe përgatitjet për këtë proces që do të zgjatë 5 vite pritet të nis në tre mujorin e parë të vitit 2022.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera