Mustafa citon ish-presidentin Rugova: Vetëm me përkrahjen e SHBA-së Kosova mund dhe do të bëhet shtet
Autori: Gazeta inFokus 09:59 | 02 December 2021
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka kutjuar ditëlindjen e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, për të cilin thotë se ai ishte udhëheqës unik i Kosovës e me vizion të hapur.
Nëpërmjet një shkrimi, Mustafa ka thënë se Rugova ishte prijës që kishte besim të pakufi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për çka citoi edhe atë se “vetëm me përkrahjen e ShBA-së Kosova mund dhe do të bëhet shtet”. Profestizim ky për të cilin Mustafa thekson se vlen edhe për ditët e sotme.
“Në Ditëlindjen e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, kujtoj udhëheqësin unik të Kosovës me vizion të hapur. Rugova kishte besim në njerëzit; ai më shumë se çdokush tjetër e njihte mentalitetin, filozofinë, traditën dhe kërkesat e tyre. Ishte prijës që kishte besim të pakufi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me bindje të fuqishme, profetike, përsëriste se vetëm me përkrahjen e SHBA-së Kosova mund dhe do të bëhet shtet. Profetizmi i tij vlen po aq edhe për ditët e sotme! IM”, ka shkruar Mustafa.
Ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cërcë të Istogut.
Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.
Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:
– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,
– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005
Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:
– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
Të tjera
-
Hamza: Kosova ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike
Kandidati i Partisë Demokratike për Kryeministër, Bedri Hamza, gjatë një inte...
-
Kryetari i Odës së Mjekëve: Rritja e pagave për mjekët është ‘’hajgare’’
Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë e...
-
Detaje të reja nga plagosja e dyfishtë në “Kodrën e Trimave”
Pasditja e së enjtes tronditi lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet. Nga n...
-
Urdhër-arresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Netanyahut, reagon ashpër Izraeli
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) pranoi kërkesën e kryeprokurorit të saj K...
-
Erërat e forta e reshjet e shiut, Pejës i shkaktojnë dëme të konsiderueshme
Dy net më parë, qyteti i Pejës mbeti në errësirë. Kjo pasi erërat e forta ...
-
Supremja lanson udhëzuesin për matjen e dënimit, merr pjesë ambasadori Hovenier
Gjykata Supreme e Kosovës lanson sot udhëzuesin për matjen e dënimit. E pj...
-
Liburn Aliu sot mban konferencë për media
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu,...
-
Fundjavë e ftohtë, temperaturat zbresin në -4 gradë
Fundjava në Kosovë do të mbizotërojë me mot të vranët e me temperatura të ulë...
-
Pemë për ushtarët e FSK-së, Ministria e Mbrojtjes jep tender në vlerë mbi 45 mijë eurosh
45 mijë e 925 euro për furnizim me pemë për nevojat e ushtarëve të Forcës së ...
-
Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongr...
-
Sot përurohet QKMF-ja në Mamushë, marrin pjesë Kurti e Vitia
Sot përurohet Qendra e re e Mjekësisë Familjare në Mamushë. Në përurim do ...
-
Komisioni për të Drejtat e Njeriut takon sot gratë greviste të Kuvendit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, ...