Lajme

​Milanoviq: Serbia duhet ta njohë Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 14:20 | 23 December 2021

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka konsideruar se Ballkani i Hapur do të jetë një nismë e pakuptimtë nëse nuk e trajton Kosovën si shtet të barabartë me palët e tjera. Madje ai ka hedhur dyshimet edhe te qëllimet e kësaj iniciative duke thënë se qëllimet e Ballkanit të Hapur nuk janë humane.

Në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, Milanoviq ka kërkuar që Kosova me këmbëngulësi të punojë për njohje të reja dhe të troket në të gjitha dyert e mundshme të shteteve mos njohëse.

“Kroacia është shtete anëtare e BE-së dhe vetëm në mënyrë sipërfaqësore do ta komentoj sepse nuk na prek neve në mënyrë direkt, por nëse iniciativa ka qëllime të mira atëherë duhet ta marrim parasysh me kusht që të merret parasysh që të gjitha shtetet të trajtohen barabartë. Nëse është e kundërta, atëherë duhet pyetur se cilat janë motivet. Nuk mund të them se askush nuk është duke bllokuar rrugën tjetër që ta arrijnë ndonjë qëllim, por Kosova të mbetet anash, kjo gjithsesi nuk duhet të ndodhë. Duhet t’i kemi të qarta se cilat janë motivet. Kroacinë nuk e prek direkt, por lidhja e njerëzve në parim është e mirë, hapja e kufijve është e mirë në parim… Nëse kjo iniciativë nuk e mbulon Kosovën barabartë, atëherë është kushtimisht thënë e pakuptimtë… Serbia duhet vetë të vendosë çka dëshiron. Ky kamuflim i Ballkanit të Hapur me siguri qëllimet nuk janë si të them humane lidhur me këtë iniciativë”, tha presidenti kroat.

-Advertisement-

Presidenti kroat u shpreh se do të punojë për të përcjellë në vendet tjera mesazhin se pavarësia e Kosovës duhet të njihet edhe nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Kosovës i duhet një zgjedhje, Kosova nuk është problem zgjidhje e statusit të Kosovës disa shtete të BE-së e dimë se cilat janë ato shtete që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës një apo dy shtete mund t’i kuptoj, por shtetet tjera sinqerisht nuk i kuptoj dhe do të bëjë çka do që është e mundur që t’ia përcjell porosinë time dhe t’ia shpjegoj këtyre personave se për çka bëhet fjalë se unë i njoh edhe burrështetasit e shteteve tjera … Njerëzit nuk janë të mirë informuar, sepse në Kosovë nuk kemi ndonjë rrezik humanitar apo luftë dhe thjesht ka mbetur të fermentohet sikur perimet dimërore dhe kjo nuk është mënyra se si organizatat serioze duhet t’i trajtojnë shtetet”, u shpreh ai.

Madje ai vazhdoi duke thënë se Kosova duhet me këmbëngulësi të punojë për njohje të reja dhe të troket në të gjitha dyert e mundshme të shteteve mos njohëse.

“Kosova është një shtet i parashikueshëm. Kur ju theksoni diçka parashikueshëm mund të merret fillimisht si ofendim, por jo në Kosovë. Mund të presim dhe e kemi të qartë se çka mund të presim nga institucionet dhe qytetarët me të gjitha shtetet. Është më vështirë në Mal të Zi, nuk është e thjeshtë. Me Bosnje e Hercegovinën është më komplekse, Maqedonia Veriore e Greqinë. Por me Kosovën mund të them se ka besim do të thotë e kemi të qartë se me çfarë kemi të bëjmë me Kosovën edhe pse e di që kemi disa çështje që në pjesën veriore të Kosovës dhe shumë shtete që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës shpresoj që të ndodhë së shpejti, sepse nëse ndalim punën e pranimit të pavarësisë së Kosovës atëherë do të kemi vështirësi. Kosova duhet të punojë me këmbëngulësi që të troket në të gjitha dyert e mundura dhe unë personalisht dhe kolegët e mi do të punojmë që të avokojmë për pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Për më tepër, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq theksoi se Serbia duhet ta njohë shtetësinë e Kosovës.

“Gjithsesi duhet ta kemi të qartë se cilat janë qëllimet, por Serbia duhet ta njohë Kosovën. E kemi parë situatën kur bëhet fjalë për Beogradin, në rend të parë mendohet se ndoshta nuk është mirë nëse qeveria ndryshon shpejt në zgjedhje sepse ndonjë qeveri nuk do të dedikohet në ndonjë çështje sepse ndoshta ndërrohet qeveria dhe ndoshta kjo është një arsye se pse nuk pranohet pavarësia e Kosovës. Gjithsesi në Serbi kemi qeveritë e njëjta, por nuk pranohet pavarësia e Kosovës. Do të thotë çfarëdo arsyetimi të mos pranimit të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, është i thatë. Ne nuk shohim ndonjë rrezik për Kosovën, por çka shoh si rrezik është stagnimi i shtetit pa frustrime për shkak të stagnimit apo jo kënaqësisë të të rinjve, migrimi i popullatës për shkak të të hyrave“, tha ai.

I pyetur nëse Serbia do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën, Milanoviq u shpreh se ka bindjen që qeveria aktuale serbe duan të qëndrojnë në pushtet dhe nuk e kanë prioritet integrimin evropian.

Milanoviq në kuadër të kësaj vizite zyrtare në Kosovë, ka takuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera