Lajme

​Marrëveshjet ndërkombëtare pritet që sot të kalojnë në Kuvend

Autori: Gazeta inFokus 07:49 | 09 July 2020

Pas dështimit të votimit në të kaluarën, në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës pritet të marrin dritën e gjelbër pesë marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat vendit do t’ia sjellin miliona euro.

Kjo pasi Partia Demokratike e Kosovës u zotua të votojë të gjitha këto marrëveshje pasi më parë kishte refuzuar ta bënte një gjë të tillë. Kështu bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media.

Ai tha se këtë vendim e kanë marrë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe diskutimeve brenda strukturave të partisë.

-Advertisement-

“Ne kemi vendosur që t’i përkrahim dhe t’i votojmë të gjitha marrëveshjet financiare ndërkombëtare të cilat janë në rend dite në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto marrëveshje i përkrahim pa kushtëzime. Fatkeqësisht nuk kemi pasur një kërkesë dhe një qasje të duhur dhe pozitive edhe nga ana e qeverisë… Sidoqoftë ne i kemi negociuar një pjesë të këtyre marrëveshjeve financiare ndërkombëtare dhe ne në seancën e Kuvendit do t’i përkrahim dhe do të japim votën tonë për aprovimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Hamza në një konferencë të thirrur për media gjatë së mërkurës.

Ndryshe nga PDK, grupi më i madh parlamentar Lëvizja Vetëvendosje nuk duket se ka ndryshuar qëndrim dhe se nuk do të votojë këto marrëveshje. Deputeti i kësaj partie, Hekuran Murati, gjatë së martës i tha KosovaPress-it përderisa koalicioni qeverisës ka pasur 2/3 të votave për rrëzimin e Qeverisë Kurti, le t’i votojnë edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.

“Ne kemi qartësuar qëndrimin tonë për këtë temë, pra i takon qeverisë t’i sigurojë votat, qeverisë që është në fuqi, ku e kemi parë sa herë që nuk i ka votat, mirëpo kur ishte puna për të rrëzuar një qeveri legjitime me mbështetje popullore u çuan e rrëzuan midis pandemisë dhe i siguruan votat. Madje, me krenari e kanë cekur disa herë që e kanë rrëzuar qeverinë me 82 vota. Kështu që për ta krejt çka është dashtë të bëhet, është me përdorë formulën e njëjtë, edhe t’i sigurojnë ato 82 vota për t’i kaluar marrëveshjet. Qëndrimi ka qenë i qartë i yni, çdo projektligj apo nismë që sponsorizohet prej qeverisë ilegale dhe jo legjitime nuk e ka mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, ka të bëjë me legjitimitet dhe legalitet. Nuk ka të bëjë me marrëveshjet në fjalë”, deklaroi ai.

Në rend ditë për seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës janë të parapara:

Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera