Lajme

​Kurti thotë se nuk përkrah nismat rajonale ku nuk është pjesëmarrëse BE-ja

Autori: Gazeta inFokus 13:13 | 27 October 2021

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pritën sot në takim sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Helga Maria Schmid, me të cilën biseduan për bashkëpunimin rajonal dhe nismat rajonale.

Kurti ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim dhe integrim, porse ritheksoi se nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezent e pjesëmarrëse BE-ja.

Për procesin e bisedimeve më Serbinë, kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke, dhe se të pagjeturit do të mbeten prioriteti i parë.

-Advertisement-

Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi, duke folur për dialogun dhe rezultatet që priten nga ai, theksoi përkushtimin e Kosovës në arritjen e njohjes reciproke dhe i cilësoi të papranueshme provokimet që i bën Serbia.

Schmid ndërkaq vlerësoi veçanërisht angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit. Ajo shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe ekspertizës për qeverinë, në përputhje me nevojat e institucioneve dhe fushëveprimin e OSBE-së.

Ndryshe, iniciativën Open Balkan, e njohur deri vonë si “mini-Shengeni ballkanik”, deri tani e përkrahin vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë.

Kosova refuzon të jetë pjesë e kësaj iniciative, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina kanë thënë se do të jenë vetëm spektatore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera