Ekonomi

​Krasniqi: Zona Ekonomike e Vitisë gjeneron vende të reja të punës dhe zhvillim ekonomik në Anamoravë

Autori: Gazeta inFokus 14:11 | 15 December 2020

Në Zonën e Ekonomike në Viti do të futen mbi 40 kompani të huaja dhe nga vendi, që pritet të krijohen vende të reja të punës dhe zhvillim ekonomik për Anamoravën.

Ministri Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Vesel Krasniqi gjatë një vizite në këtë Zonë, tha se punimet janë në fazën përfundimtare dhe pritet të jetë funksionale për bizneset e Vitisë dhe rrethinës në pranverën e vitit të ardhshëm.

Krasniqi tha se MTI synon krijimin e kushteve më të mira për bizneset dhe për zhvillimin ekonomik në vend.

-Advertisement-

“Ne synojmë që vitin e ardhshëm të shpallim procedura të reja për aneks të kësaj zone, ku edhe kryetari është zotuar që procedurat e kërkuara me ligj përmes asamblesë komunale të përfundojnë në pranverën e hershme. Kjo zonë që është në fazën përfundimtare pritet të akomodohen rreth 40 biznese. Vlera e gjithë këtij projekti është 1.8 milionë euro. Presim që të jetë një zonë me interes jo vetëm për komunën e Vitisë… Mendoj se kështu po krijojmë një hapësirë të mirë për bizneset e kësaj ane. Do të ketë investitorë që do të sjellin kapitalin e tyre edhe nga jashtë, edhe nga Maqedonia. Këto biznese do të ndikojnë drejtpërdrejt për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Po ashtu në vitin e ardhshëm synojmë edhe dy zona të tjera”, tha Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se presin që vitin e ardhshëm të jetë funksionale Zona Ekonomik, me kompani që do të krijojnë vende të reja të punës, të hyra financiare dhe zhvillim ekonomik për tërë regjionin.

“Një zonë ekonomike për regjionin e Anamoravës do të thotë punësim, zhvillim ekonomik dhe investime të reja. Po ashtu, investitorë të huaj, nga mërgata dhe nga vendi që janë prodhues dhe përpunues në komunën tonë dhe në regjion”, tha Haliti.

Zona Ekonomike në Budrigë të Vitisë ka një sipërfaqe prej 15.5 hektarë, e që pritet të zgjerohet edhe me 15 hektarë të tjerë. Projekti i mbështetur nga financiarisht nga MTI-ja ka një kosto 1. 8 milionë euro.

Ministri Krasniqi gjatë vizitës në Anamoravë ka vizituar edhe fabrikën e prodhimit të vajrave motorike “Pirmoil” në Gërlicë për të parë sfidat dhe veprimtarinë e këtij prodhuesi vendor.

Krasniqi ka ofruar mbështetje përmes Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili tha se fokus kryesor ka mbështetjen e prodhuesve vendorë.

“Ne si MTI dhe Qeveri e Kosovës planifikojmë që edhe më tutje t’i mbështesim prodhuesit tanë vendorë. Fokus i veçantë në agjendën tonë kemi mbështetjen e prodhuesve vendorë përmes legjislacionit në fuqi dhe asaj që pritet të ndryshohet, duke favorizuar produktet tona që prodhohen në vendin tonë. Me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike ne do të kemi mundësi t’i mbështesim në forma të ndryshme për mes masave. Inkurajoj për punë dhe në të ardhmen sigurisht me mbështetjen tonë si Qeveri e Kosovës që ta rritë kapacitetin e prodhimin e këtyre vajrave që të ketë për të gjithë qytetarët e Kosovës produkte vendore”, tha Krasniqi.

Kjo fabrikë, e cila mbulon tregun vendor 50 për qind me vajra motorike dhe eksporton në vendet e tjera, aktualisht ka rreth 100 të punësuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera