Lajme

​Hetuesi dëshmon se si u infiltrua si shitës i armëve te terroristët që planifikonin ta sulmonin policinë

Autori: Gazeta inFokus 17:42 | 07 March 2018

Hetuesi antiterror me nofkën “Tafili”, ka rrëfyer sot në gjykatë operacionin e fshehtë të Policisë së Kosovës, që kapi në flagrancë pesë të akuzuarit që po planifikonin sulm terrorist ndaj pjesëtarëve të sigurisë në vend, fundin e vitit 2013. Gjatë vazhdimit të dëshmisë së tij, si dëshmitar i mbrojtur, hetuesi, të mërkurën, në Gjykatë ka treguar sesi bashkë me kolegun e tij të njohur si “Premtimi” ishin infiltruar si shitës të armëve automatike me të cilat Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni dyshohet se po planifikonin të merrnin në kontroll një prej stacioneve të Policisë së Kosovës.

Dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë, hetuesi i njohur me nofkën “Tafili”, gjatë përgjigjeve që u ka dhënë pyetjeve të prokurorit të EULEX’it, Drew Engle, ka treguar për takimin e parë që ka pasur me të akuzuarin Genc Selimi, në tetor të vitit 2013, shkruan Gazeta Express.

Ai tregoi se vetëm pak javë para këtij takimi, ai dhe kolegu i tij nga drejtoria kundër-terrorizëm e Policisë së Kosovës, me nofkën “Premtimi”, ishin angazhuar në operacionin e fshehtë të emërtuar si “Uragani”, për zbulimin e një grupi terrorist që po planifikonte të kryente një sulm me armë ndaj Policisë.

-Advertisement-

Tha se personi që fillimisht ka biseduar më të akuzuarin Salihu, përmes telefonit, ka qenë “Premtimi”, që është paraqitur si shitës i armëve. Më pas, rrëfeu në gjykatë Themelore të Prishtinës se kishin lënë të takohen me të në një lokal afarist në afërsi të Klinës. Aty, sipas tij, kanë ndodhur dy takimet e para, ndërsa të tjerat në Prishtinë.

“Kontaktet kanë qenë prej datës 23 shtator 2013, deri në momentin e arrestimit të tyre më 5 nëntor 2013”, tha ai.

“Takimi i parë ka qenë më 5 tetor 2013 në Nora Market në Klinë. Kemi pas takim me Gencin, derisa me të kanë qenë edhe tre persona të tjerë në veturë. Vetura ka qenë BMW, e zezë, me targa 06”, rrëfeu “Tafili” në gjykatë, përmes dëshmisë të mbrojtur që u dha me videolink në gjykatë.

Me pas, ai identifikoi edhe emrat e tre personave të tjerë që kanë qenë sipas tij në veturë. Identifikimin e bëri edhe përmes video lidhjes, duke treguar se ata po i sheh në sallë dhe janë gjithashtu të akuzuar. Po ashtu, të akuzuarin tjetër Nuredin Sylejmani e njohu edhe në një fotografi të printuar që ia prezantoi prokurori, e që bashkë me tre persona tjerë shfaqej i armatosur dhe i veshur me uniformë ushtarake.

“Në veturë me të kanë qenë Valon Shala, Ardian Mehmeti dhe Musli Hyseni”, tha dëshmitari.

Ai shpjegoi se takimi ishte iniciuar për gjoja çështje biznesi. Tafili tha se ai dhe kolegu i tij “Premtimi” gjoja si shitës të armëve, kishin për t’u marrë vesh se çfarë lloje automatikësh u nevojiteshin të akuzuarve për të kryer sulmin.

“Në tri takimet kemi pasur masa të fshehta të përgjimit, përmes instrumenteve të vendosura në trupat tonë”, tregoi ai, raporton Gazeta Express.

“Takimi i parë ka qenë pasi Genci [i akuzuar] e ka caktuar përmes telefonit që t’i shohë armët”, tha dëshmitari. Më pas ai tregoi se në datën e cekur, takimin e kishin lënë për në ora 5 të mbrëmjes, me që të dyshuarve u duhej të vinin nga Gjilani.

“Gjatë ardhjes në takim, është kontaktu Premtimi [polici tjetër] nga Genci, e i ka tregu qe e kanë humbur rrugën gjatë ardhjes, dika kah Malisheva. Premtimi i ka sugjeru atij se cilën rrugë të ndjek për me ardhë”, kujtoi operacionin polici hetues i antiterrorizmit.

“Vetëm i ka thënë që jam Genci që kam pas me ardh, dhe kemi humbur rrugën”, sqaroi Tafili, pasi prokurori ndërkombëtar i rastit kërkoi që të shpjegojë mënyrën e bisedës.

Tutje, ai tha se nuk ka shkuar shumë kohë dhe ata kanë arritur në vendtakim.

“Ka dalë vetëm Genci nga vetura. Ka nxjerrë telefonin, e ka kontaktu Premtimin. Dytë i kanë çuar duart lartë për tu identifikuar dhe pastaj Genci ka ardhë në drejtim të tavolinës ku kemi qenë ne të ulur”, tha dëshmitari.

“Kur është ulur në tavolinë ka thënë jam ardhë me i pa ato se mi ka dërgu dikush”, kujton ai për kontaktin e parë fizik me të akuzuarin.

“Premtimi e ka pyetur se çka ma konkretisht”, tha dëshmitari i mbrojtur.

“Ai ka thënë për 10 AK47, model jugosllav”, sqaroi ai përmes dëshmisë së dhënë me videolidhje.

Përveç armës automatike AK47, hetuesi policor, dëshmoi se i akuzuari Genc Selimi u kishte kërkuar atyre edhe një armë tjetër të tipit M84, që sipas tij ka karikator më të madh se AK47, që paloset, me deri 100 fishek.

Gjatë dëshmisë së tij, Tafili tha se nofkën me të cilën ishte prezantuar gjatë këtij operacioni, e që më të njëjtën edhe po dëshmon si dëshmitar i mbrojtur në gjyqin për terrorizëm ndaj 5 të akuzuarve se po planifikonin të sulmimin Policinë e Kosovës në vitin 2013, e kishte zgjedhur vetë. Shtoi se ishte caktuar asistent në këtë rast, i kolegut të tij me nofkën “Premtimi”.

Ai tregoi se operacioni ishte emërtuar “Uragani” ka pasur të angazhuar më shumë se katër njësi të Policisë së Kosovës, me mbi 20 pjesëtarë të saj, shkruan Express.

“Kanë qenë të angazhuara njësia e vëzhgimit, njësia e inteligjencës, njësitet speciale dhe disa njësi tjera që nuk do t’i përmendi, mirëpo kanë qenë mbi 20 persona”, tregoi ai në gjykatë.

“Informata kemi pasur vetëm për Genc Selimin në fillim, ndërsa të tjerët kanë rezultuar më vonë”, tha ai. Duke shtuar se më 28 nëntor 2013 fillimisht kishin marrë informacionin e parë se ky person, bashkë me disa të tjerë nga rajoni i Gjilanit po përpjekën që të sigurojnë armë për një sulm të mundshëm terrorist ndaj policisë së Kosovës.

Ai në vazhdimin e dëshmisë së tij, në pjesën e parë të seancës, të mërkurën, në Gjykatë Themelore të Prishtinës ka shpjeguar se si organizohen dhe hetohen grupimet terroriste, si identifikon ato dhe po ashtu përmes pyetjeve të prokurorit Engle ka treguar edhe se si grupet terroriste krijojnë vetë materie eksplozive.

Kjo pjesë e dëshmisë është kundërshtuar disa herë nga avokatët mbrojtës të cilët pretendonin se pyetjet e prokurorit të EULEX’it për dëshmitarin më shumë janë sikur ai të ishte ftuar në cilësinë e ekspertit. Por, ndërprerja e këtyre pyetjeve ndodhi vetëm pasi me ketë mendim u pajtua edhe anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Hamdi Ibrahimi.

“Nuk ka asgjë kundër që gjykata ta dëgjojë atë si ekspert, vetëm se të dihet se kur po merret në pyetje si dëshmitar e kur si ekspert”, tha Ibrahimi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës, më 23 janar 2015 kishte ngritur aktakuzë ndaj Ardian Mehmetit, Nuredin Sylejmanit, Genc Selimit, Valon Shalës e Musli Hysenit.

Këta pesë persona akuzohen se në pjesën e fundit të vitit 2013, kur edhe ishin arrestuar ishin, duke planifikuar të kryenin një sulm terroristë ndaj Policisë së Kosovës. Pretendohet se grupi ka funksionuar në Kosovë dhe Siri, pasi një pjesë e të akuzuarve kanë qenë edhe pjesëtarë të Al Nussra dhe ISIS.

Ardian Mehmeti, akuzohet se ka kryer veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “vrasje e rendë”, “marrja e pengjeve”,  “rrëmbimi”, “kryerja e veprës terroriste”,  “zjarrëvënia”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “shkaktimi  rrezikut të përgjithshëm”,  “armëmbajtje pa leje”.

Nuredin Sylejmani, akuzohet se ka kryer veprat penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, “armëmbajtje pa leje”, dhe “sulm”.

Kurse, Musli Hyseni, akuzohet për veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “moslajmërim të përgatitjes së veprave penale” dhe “moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”. Për “armëmbajtje pa leje” akuzohet edhe i akuzuari Valon Shala. E Genc Selimi, sipas prokurorisë speciale ka kryer “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera