Lajme

​Gjykatat në Kosovë nuk zbatojnë praktikën gjyqësore të GjEDNJ-së

Autori: Gazeta inFokus 13:26 | 25 September 2020

Nga 209 aktgjykime, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është zbatuar vetëm në 20 prej tyre. Po ashtu, në vetëm 19 raste janë evidentuar vendimet e Gjykatës së Strasburgut të cilat janë aplikuar në këto aktgjykime. Një dhëna të tilla po shihen si shqetësuese Instituti i Kosovës për Drejtësi, deri thuhet sepjesa më sfiduese për aplikimin e këtyre standardeve, janë njohuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Meqë sipas tyre, të njëjtit nuk janë të trajnuar mjaftueshëm për të aplikuar këto standarde.

Kështu thuhet në raportin e publikuar të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për aplikimin e Konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ehat Miftaraj nga IKD, tha se ky raport është rezultat i monitorimit sistematik të punës që bën Instituti i Kosovës për Drejtësi në sistemin e drejtësisë.

-Advertisement-

“Përderisa Republika e Kosovës përmes kushtetutës dhe ligjeve ka ndërtuar standardet më të larta për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, fatkeqësisht praktika e dëshmon të kundërtën. Si gjykatat ashtu edhe organet administrative në Kosovë nuk i marrin seriozisht dhe nuk e zbatojnë praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial dhe akademia e drejtësisë nuk kanë arritur që të trajnojnë dhe specializojnë prokurorët dhe gjyqtarët lidhur me praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat dhe njeriut. Gjykatësit dhe prokurorët kanë njohuri shumë të kufizuara lidhur me këtë fushë”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se e drejta për gjykim të arsyeshëm në kohë, është e drejta që shkelet më së shumti nga gjykatat në Kosovë. Sipas tij, institucionet e drejtësisë kanë probleme serioze me kuptimin e obligimeve të tyre në raport me kushtetutën dhe ligjin.

Ndërsa, Gëzim Shala nga IKD theksoi se rëndësia e zbatimit të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe jurispodencës së Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut konsiston në atë se Republikën e Kosovës e harmonizon me standardet e Këshillit të Evropës në fushën e drejtave të njeriut, por edhe për faktin se nuk është pjesë e KE-së.

E sikur të zbatoheshin në praktikë, Shala tha se nuk do ishte problem për Kosovën, pse nuk mund t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.

” Në gjetjet e IKD-së ne kemi parë që ky përcaktim kushtetues ka mbetur vetëm në tekstin kushtetues dhe nuk është reflektuar pastaj në praktikë. Pasi se aplikimi i Konventës Evropiane dhe praktikës së Gjykatës së Strasburgut nuk e tejkalon 10 përqindëshin. Që i ka bërë këto dy despozita të injoruara nga ana e sistemit gjyqësor nga ana e Republikës së Kosovës. Me qëllim të krijimit të një tablo lidhur me aplikimin dhe mos aplikimin e të Konventës Evropiane të drejtave të njeriut dhe Gjykatës së Strasburgut ne kemi analizuar gjithsej 209 aktgjykime”, ka theksuar Shala.

Injorimi i Konventës dhe zbatimit të Gjykatës së Strasburgut, Shala tha se paraqet injorim të vet Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, gjetjet e IKD-së në 209 aktgjykimet e analizuara janë shqetësuese.

“ Të gjeturat e IKD-së janë shqetësuese, për arsye se nga 209 aktgjykimet, Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut është zbatuar në vetëm 20 raste. Që do të thotë në përqindje i bie që 9,56 për qind. Derisa nuk është zbatuar në 90, 56 për qind. Që paraqet një injorim të kësaj konvente për arsye që e njëjta ka fuqi kushtetuese dhe ka fuqi mbi secilin ligj tjetër. Ndërsa sa i përket praktikës së Gjykatës së Strasburgut gjetjet e IKD-së janë pothuajse edhe më shqetësuese. Për faktin se nga 209 rastet e analizuara, në vetëm 19 raste evidentohen vendimet e Gjykatës së Strasburgut të cilat janë aplikuara në këto aktgjykime. Që në përqindje i bie 9,09 për qind”, theksoi ai.

Ndër tjera, Shala tha se në Gjykatën e Apelit në të gjitha rastet e analizuara nuk është evidentuar asnjë rast i vetëm kur është aplikuar Konventa Evropiane apo ndonjë vendim i caktuar i Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Pjesa më sfiduese për aplikimin e këtyre standardeve, sipas Gëzim Shalës janë njohuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Meqë siç thotë ai, të njëjtit nuk janë të trajnuar mjaftueshëm për të aplikuar këto standarde.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera