Lajme

​Dëshmitari në gjykimin ndaj Mustafës thotë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një personi

Autori: Gazeta inFokus 14:19 | 13 December 2021

Në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa në Hagë, dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka përmendur dy persona të pajetë dhe ka thënë se e ka zhvarrosur njërin prej tyre.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin Ë4674, ka thënë e ka gjetur një varr me dy trupa por sipas tij njëri prej tyre ishte i panjohur për të.

“Trupin e parë e veç kemi zbuluar dhe e kemi vërejtur që nuk është, i panjohshëm është, dhe nuk e kemi prekur më shumë e kemi mbuluar prap. Në tjetrën anë kemi gjetur një trup të njohshëm, edhe atë si e kemi vërtetuar që është e kemi mbuluar edhe atë prap dhe kemi shkuar në shtëpi. Pas dy dite kemi shkuar me traktor dhe e kemi zbuluar e kemi marrë dhe e kemi pru në shtëpi, e kemi varrosur”, ka thënë dëshmitari i cili po dëgjohet nën masa mbrojtëse të sigurisë.

-Advertisement-

Sipas dëshmitarit, trupi tjetër për të cilin ka thënë se nuk e ka njohur, ka mbetur aty.

“Herën e dytë kur kemi shkuar e kemi zhvarros trupin dhe e kemi qit në traktor e kemi pru në shtëpi. Trupin tjetër veç e kemi mbuluar me dhe aty ka mbetur”, ka thënë dëshmitari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Dëshmitari i mbrojtur po dëgjohet në seancë të mbyllur, përjashtuar këtu disa minuta kur seanca ka qenë publike.

Gjithashtu, pyetjet e avokates së viktimave janë zhvilluar në seancë të mbyllur, ndërsa avokati mbrojtës do t’i parashtrojë pyetjet pas një pauze.

Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre nëntë dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera