Lajme

​Deliu reagon ndaj teksteve të historisë: Është fyer i gjithë populli shqiptar

Autori: Gazeta inFokus 14:05 | 08 October 2020

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) Blerta Deliu, në seancën e sotme plenare, ka komentuar rreth teksteve të historisë, për të cilat tha se jo vetëm që shtrembërojnë faktet e vërteta historike, por deri në nivelin më neveritës fyhet dhe përçmohet i gjithë populli shqiptar.

Ajo tha se autorët shqiptarë në këto tekste kanë pranuar rishkrimin e historisë së Kosovës, duke pranuar relativizmin e krimeve serbe e që është në linjë të njëjtë me projektet manipuluese të Beogradit për të barazuar xhelatin me viktimën.

“Tekstet mbajnë autorësinë e disa akademikëve shqiptarë, të cilët për një honorar qesharak kanë rënë në lajthitje me pjesëmarrjen e tyre në këtë projekt. Por, më keq se kaq ata asnjëherë nuk janë distancuar nga këto botime, nuk kanë dhënë dorëheqje nga ky projekt, e në rastin më të keq këta autorë nuk marrin as më të voglën përgjegjësi duke u përpjekur që fajin e tyre tua hedhin redaksive botuese. Tani, çështja kryesore është mungesa e përgjegjësisë intelektuale, mungesa e përgjegjësisë kombëtare të këtyre bashkautorëve…Fatkeqësisht, këta autorë në emër të Kosovës e historisë së saj kanë pranuar edhe rishkrimin e historisë së Kosovës, duke pranuar kështu relativizmin e krimeve serbe e që është në linjë të njëjtë me projektet manipuluese të pandalshme të Beogradit për të barazuar xhelatin me viktimën. Duke pasur të hapura plagët e luftës, si të pagjeturit dhe të tjera ne nuk duhet të lejojmë kurrsesi që të deformohet ajo të cilin e kemi pasur në kurrizin tonë si popull shqiptar”, tha ajo.

-Advertisement-

Deputetja e PDK-së tha se politizimi i skajshëm me kuadro të LDK-së i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e dëmton rëndë profesionalizmin, integritetin akademik dhe cilësinë e punës së këtij institucioni.

Ajo ndërkaq e quajti të papranueshme heshtjen e Institutit të Historisë, duke thënë se institucionet duhet të distancohen nga autorët e këtyre teksteve dhe të nisin procedurat e përgjegjësisë ndaj tyre. Në të kundërtën, ajo tha se do të legjitimohet shtrembërimi i historisë nga këto institucione.

Deputetja e PDK-së, tha se duke qenë se një nga autorët e atyre librave është deputeti i LDK-së Frashër Demaj, sipas saj LDK duhet të deklarohet qartë nëse pajtohet me ato që janë shkruar në tekstet e historisë së shkruara nga deputeti i saj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera