Fokus

EKSKLUZIVE: Izedin Bytyqi e Nexhat Krasniqi mollë sherri ndërmjet Arban Abrashit e Agim Veliut

Autori: Gazeta inFokus 14:39 | 03 March 2021

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ia ka rrëzuar vendimin bashkëpartiakut të tij, Agim Veliut, aktualisht ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratë, lidhur me rikthimin në punë të Sekretarit të Përgjithshëm të MI, Izedin Bytyqi.

Vendimi për pezullim të serishëm nga puna të Bytyqit, vjen vetëm një ditë pas kthimit të tij në pozitën e sekretarit të MI nga ana e ministrit Veliu, shkruan Gazeta infokus.

Megjithatë, sipas vendimit të ri, të cilin e ka nënshkruar ministri Abrashi, Bytyqi pezullohet nga puna dhe ndaj të njëjtit iniciohet procedura e shqyrtimit për shkelje të rëndë disiplinore me këtë arsyetim.

-Advertisement-

“Sekretari i Përgjithshëm z. Izedin Bytyqi me datën 26.02.21 ka kthyer në punë Udhëheqësin e Departamentit të Prokurimit në MI, Nexhat Krasniqi, duke vepruar në kundërshtim me Aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës CML. Nr. 12/2019 i datës 18.11.2019. Aktvendimi i Gjykatës Supreme në fjalë në mënyrë taksative ka aprovuar kërkesën për Mbrojtjen e Ligjshmërisë të MI, me ç’rast ka hedhur poshtë vendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit”, thuhet në arsyetimin e ministrit Abrashi, shkruan Gazeta Infokus.

Izedin Bytyqi, ditë më parë ishte shkarkuar nga ministri Abrashi, por i njëjti ishte rikthyer në detyrë nga MPBA-ja. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera