Sport

⚽ Premier League vs. La Liga, cila skuadër spanjolle do të fitonte?

Autori: Gazeta inFokus 14:18 | 10 July 2017

Prej një dekade, spanjollët janë kthyer në hegjemonë të futbollit, duke përcaktuar një epokë madhështore me filozofinë e tyre unike.

Ata jo vetëm që kanë përhapur një ide loje, por janë bërë edhe “kolonizatorë” të kampionatit më të ndjekur në botë, Premier League. Skuadrat angleze sot janë mbushur plot me këmbëshpejtë të shkurtër, të cilët kanë fituar simpatinë e tifozëve me dhuntitë dhe personalitetin që kanë. Kështu, sajti “Dream Team FC” sot ka përsëritur një artikull, me të cilin përpiqet të kuptojë nëse spanjollët e kampionatit anglez mund të mposhtin ata të kampionatit spanjoll. Kjo është e vështirë, sepse Arsene Wenger dhe Jose Mourinho nuk kanë transferuar më të mirët e La Ligës, por konkurrenca mbetet me të vërtet e fortë.

Le t’u hedhim një sy formacioneve!

Në 11-shin e versionit anglez, portën e mbulon David De Gea, i pakonkurrueshëm. Në krahun e djathtë të mbrojtjes, Cesar Azpilicueta e mposht lojtarin e Arsenalit, Hector Bellerin. Natyrisht, në krahun tjetër pozicionohet shoku i tij i skuadrës (Chelsea), Marcos Alonso, i cili sezonin e kaluar tregoi se është një transferim i madh. Përzgjedhjet për qendrën e mbrojtjes janë me të vërtet të dobëta, Marc Muniesa dhe Jordi Amat. Epo, Premier League nuk ka të tjerë!

-Advertisement-

Kalojmë në mesfushë, aty ku Oriol Romeu ka fituar shumë pikë me performancat e sezonit të kaluar dhe bashkë me “djallin e kuq”, Ander Herrera, formon një dyshe fantastike para mbrojtjes. Po ofensiva? Kur ke spanjollë, cilësia veçse rritet. Pedro Rodriguez, Cesc Fabregas dhe David Silva janë tre emrat e përzgjedhur si mbështetës të sulmuesit të vetëm, Diego Costa. Përfundimi: gola dhe vetëm gola!

11-shi më i mirë i Premier Ligës me lojtarë spanjollë (nga “DTFC”)

Formacioni i spanjollëve të La Ligës nis keq, por pastaj veçse “blindohet”. Meqë portierët më të mirë spanjollë luajnë jashtë, Sergio Rico (Sevilla) në këtë rast meriton të marrë dorezat. Gjithsesi, nuk ka shumë rëndësi se kush e mbron portën, sepse katër emrat e mbrojtjes që vijnë më pas janë një botë më vete: Dani Carvajal, Gerard Pique, Sergio Ramos dhe Jordi Alba. Kjo është saktësisht mbrojtja e kombëtares spanjolle dhe, rrjedhimisht, cilësia është gati qiellore.

Edhe mesfusha nuk duket aspak keq, madje garanton një lojë asfiksuese me pasime, tipike e “Furisë së kuqe”, me yje si Sergio Busquets, Andres Iniesta dhe Isco. O nëne, o nëne! A matet kush me ta? Vështirë, sidomos kur sheh se cilët lojtarë do të furnizohen prej tyre: Alvaro Morata, Koke dhe Marco Asensio. Sulm i paparë, 100% madrilen, me vlerë mbi 200 milionë euro.

11-shi më i mirë i La Ligës me lojtarë spanjollë (nga “DTFC”)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera