Uncategorized

⚽️Kjo që ka bërë Trepça ’89 vështirë mund të arrihet sërish

Autori: Gazeta inFokus 14:10 | 11 May 2017

Trepça ’89 i ka lënë të gjithë me gojë të hapur duke e fituar titullin e kampionit të Kosovës në këtë edicion.

Mitrovicasit kishin mbetur pa disa lojtarë të rëndësishëm para fillimit të sezonit dhe tifozët e futbollit i shihnin ata në pjesën e poshtme të tabelës, shkruan sot gazeta Zëri.

Mirëpo, “Xehetarët” i mahnitën të gjithë duke i radhitur rezultatet pozitive një pas një. Madje, e kanë rrëmbyer pozitën e parë që nga xhiroja e 16-të, pra qe 14 xhiro, të cilin nuk e kanë lëshuar asnjëherë.

Presidenti i klubit, Abedin Zeka, është njëri prej më meritorëve për këtë sukses të ekipit mitrovicas. Pas shumë tentimeve ai e realizoi atë që synonte. Madje, në momentin më të duhur të mundshëm.

“Shumë pak njerëz kanë besuar se mund të dalim kampionë, por ata që kanë besuar jemi ne. Kemi punuar në heshtje, kemi qenë të organizuar, të përkushtuar, kemi punuar dhe më në fund na u shpërblye mundi”, theksoi fillimisht Zeka për “Zërin”.

“Kemi qenë tri herë nënkampionë dhe 2-3 herë kemi përfunduar në pozitën e tretë. Kryesisht, pasluftës kemi përfunduar në top-4, kemi qenë gjithmonë atje, lart në tabelë”, vazhdoi ai.

Ndryshe, Zeka ka zbuluar se në këtë sezon “Minatorët” nuk kanë shpenzuar më së shumti para që nga paslufta, por që kanë ditur t’i menaxhojnë mjaft mirë ato para që i kishin në dispozicion.

“Ne kemi qenë stabilë këtë sezon në aspektin financiar. Nuk shpenzojmë shumë, ndoshta 50 për qind më pak se klubet e mëdha kosovare, por kemi ditur mjaft mirë ta menaxhojmë këtë situatë”, nënvizoi ai.

Gjithsesi, tregon se do të ketë shpërblim për futbollistët heronj, por njëri prej shpërblimeve është më i veçanti.

“Shpërblime do të ketë edhe për lojtarët. Njëri prej tyre dhe kryesori është se do t’i dërgojmë për përgatitje në Austri. Kemi qenë herën e fundit në Turqi dhe kjo u ka ndihmuar shumë lojtarëve”, shtoi ai.

Zeka siguron se buxheti i ’89-shit tash e tutje do të rritet pasi kampioni i ri do të ketë më shumë të hyra.

Edhe lojtarëve, tregon ai, u është premtuar se do të kenë të ardhme edhe më të mirë dhe se do t’ju përmirësohen kushtet.

Ndër të tjera, kreu i klubit mitrovicas thotë se i ka siguruar futbollistët se ’89-shi do të luajë në garat evropiane me ekipin që u shpall kampion, pasi kjo e arritur është meritë e tyre.

Ai ndër të tjera ka paralajmëruar se klubi ndërkohë mund t’i marrë 2-3 përforcime.

Image

Për suksese në Evropë

’89-shi si kampion i Kosovës mund të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Zeka siguron se klubi që ai e drejton i plotëson kriteret. Madje, shprehet mjaft ambicioz sa u përket garave evropiane.

“Ne besojmë 100 për qind se i plotësojmë kriteret për gara evropiane dhe do të jemi atje. Besoj fuqishëm se do ta kalojmë rrethin e parë të garave në Ligën e Kampionëve, por mund ta kalojmë edhe të dytin. Me këtë rast, edhe shpërblimet do të rriteshin për çdo kalim të turnit”, përfundoi ai.

Ramadani, trajneri i parë kampion nga jashtë

Nuk kishte ndodhur më parë që një trajner nga jashtë të shpallej kampion i Kosovës. Një gjë të tillë e realizoi trajneri shqiptar nga Maqedonia, Zekirija Ramadani, i cili punoi në heshtje dhe në fund puna e tij solli fryt.

“Falënderoj Zotin që na dha shëndet të gjithëve dhe na mundësoi t’i gëzohemi këtij suksesi historik të skuadrës sonë, Trepça ’89. I falënderoj familjarët e mi, qytetarët e Mitrovicës, punëtorët e fushës, ekonominë e skuadrës, stafin mjekësor, bashkëpunëtorët e mi, paraardhësin tim Veton Çitakun, kryesinë e klubit, sigurisht edhe lojtarët e mi”, ka thënë trajneri shqiptar.

Festa e kapitenit

Shpëtim Idrizi e ka udhëhequr me sukses ekipin në fushë. Kapiteni shembull e ka shijuar me shokë titullin e parë të kampionit. Ai ndihet krenar me këtë arritje.

“Urime titulli kampion së pari kryesisë së klubit, lojtarëve e gjithashtu edhe qytetarëve të Mitrovicës. Edhe një herë treguam se historia fillon në qytetin e kulturës dhe të sportit e ky është qyteti më i bukur, Mitrovica. Urime!”, ka shkruar mesfushori majtak.

Etiketa:
Përtej ZBRITJEVE në Viva Fresh Store!

Të tjera