Sport

⚽️ Besa feston, lavdërohet dhe kritikohet!

Autori: Gazeta inFokus 16:14 | 02 June 2017

Fitorja në finale të Kupës së Kosovës ndaj Llapit ka bërë që Besa të festojë, të marrë shumë lëvdata, por edhe të kritikohet, shkruan në numrin e sotëm gazeta “Zëri”.

Festojnë duke e ngacmuar Batatinën dhe Llapin 

Historia e Besës është bërë goxha e begatshme. Historia e tyre tashmë numëron tri Kupa të Kosovës në periudhën e pasluftës, aq sa ka fituar edhe gjiganti kosovar, FC Prishtina. Kjo ka bërë që ekipi të gjejë pritje të ngrohtë nga simpatizuesit e vet në qendër të Pejës me t’u kthyer nga Mitrovica pas finales së fituar ndaj Llapit.

-Advertisement-

“Tahir Evropiani, prite t’i Prokurorinë e na po festojmë në qendër të qytetit. Kupa është jona e për ty Tahir ende vlen ftesa për të na u bashkangjitur në festë”, ka shkruar Besa në faqen e vet në “Facebook”.

Pastaj, deri në orët e vona pejanët kanë festuar me këngë e valle në një restorant në qytetin e tyre. Ndërsa deklaratën ‘bombastike’ e ka lëshuar kapiteni Fisnik Papuqi. “Për Evropë vizat merren në Pejë, na bëni hallall a?! Kupa te vendi, në qytetin e sportit, Pejë”, ka shkruar Papuqi në “Facebook”.

Besa lavdërohet, përmirëson imazhin

Qysh para disa ditësh kishin nisur të dëgjoheshin zërat që thoshin se Besa do t’ia lëshojë ndeshjen finale Llapit me qëllim që të mos ia humbë shansin për të dalë në Evropë. Kjo për shkak se llapjanët kishin marrë licencë për gara evropiane, por jo edhe pejanët, për të cilët fitorja e finales nuk nënkuptonte pjesëmarrje në Europa League.

Flitet se në këmbim të kësaj Besa do t’i marrë nga Llapi rreth 100 mijë euro. Por, krejt këto i demantoi fusha e blertë e stadiumit “Riza Lushta”, ku si Llapi ashtu edhe Besa luftuan pastër për fitore.

Për “Fair-Play” të dyja ekipet kanë marrë komplimente të shumta nga futbolldashësit në Kosovë dhe nga analistët. Këto komplimente i kanë ndihmuar sidomos Besës për përmirësim të imazhit, pasi në këtë edicion është dyshuar shumë e madje edhe është akuzuar për kurdisje.

Kritikohet menaxhmenti që la Besën jashtë Evropës

Derisa Besa ishte në festë dhe po merrte lëvdata për Kupën e fituar dhe për “Fair-Play”, në adresë të pejanëve nuk kanë munguar as kritikat.

Tifozë pejanë dhe analistë e kanë kritikuar kryesinë e klubit për keqmenaxhim, pasi Besa nuk ka arritur të marrë licencë për pjesëmarrje në gara evropiane, ku do ta çonte Kupa e fituar sikur ta kishte atë licencë.

Andaj, meqenëse Besa nuk posedon licencë, sipas rregullit, mundësia i është dhënë nënkampiones – në këtë rast Prishtinës. Besa pati aplikuar për licencim, por nuk i pati përmbushur kriteret.

E njëjta i ka ndodhur edhe Lirisë. Licenca kanë marrë Trepça ’89, Prishtina, Llapi dhe Feronikeli. Ky i fundit e ka konsideruar procesin të falsifikuar e të licencuar sepse “Nikli” insiston se vetëm ai dhe Prishtina kanë merituar licenca, andaj është ankuar në UEFA.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera