Lajme

​Zemaj: Situata me COVID-19 e qëndrueshme, por s’duhet të relaksohemi

Autori: Gazeta inFokus 20:57 | 15 September 2020

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi sot se situata epidemiologjike me koronavirus në Kosovë është e qëndrueshme, por tërhoqi vërejtjen për vazhdim të respektimit të masave mbrojtëse kundër përhapjes së kësaj sëmundjeje të rrezikshme që tashmë ka prekur pothuajse të gjithë botën.

Ai gjatë një takimi me drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, kryesuesin e bordit këshillëdhënës Lul Raka dhe Visar Berisha nga zyra e kryeministrit, ka thënë se puna për luftimin e COVID-19 duhet të vazhdojë pa u relaksuar.

“Lufta me COVID-19 vazhdon të jetë një prioritet i punëve tona të përditshme, por assesi kjo nuk nënkupton që duhet lënë anash projektet dhe punët tjera që kam parashikuar në mandatin tim e që kanë të bëjnë me rregullimin e sistemit shëndetësor publik si të qëndrueshëm, modern dhe funksional”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Postimi i plotë:

Tash për tash, situata epidemiologjike në vendin tonë është e qëndrueshme, por puna duhet të vazhdojë dhe assesi nuk duhet të relaksohemi.

Në takim pune që zhvillove gjatë pasdites se sotme me drejtorin e IKSHPK-së, Prof. Dr Naser Ramadani, me kryesuesin e bordit këshillëdhënës Prof. Dr Lul Raka, Dr. Visar Berisha nga zyra e kryeministrit si dhe me bashkëpunëtorët e tjerë analizuam situatën me Covid-19 dhe hapat që duhet t’i ndërmarrim në ditët në vijim sa i përket masave të reja.

Theksoj përsëri që tashmë kur kemi hapjen e shumicës së shkollave në nivel vendi është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Lufta me Covid vazhdon të jetë një prioritet i punëve tona të përditshme, por assesi kjo nuk nënkupton që duhet lënë anash projektet dhe punët tjera që kam parashikuar në mandatin tim e që kanë të bëjnë me rregullimin e sistemit shëndetësor publik si të qëndrueshëm, modern dhe funksional.

Ministria e Shëndetësisë në përgjithësi dhe unë si ministër në veçanti do të jemi të përkushtuar ta ruajmë shëndetin publik para se gjithash.

Bashkë mund t’ia dalim!

Vendose maskën!
Mbaje higjienën!
Ruaje distancën!

Të tjera