Lajme

​“Unë pa dhunë”, thirrje institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve

Autori: Gazeta inFokus 15:41 | 20 November 2020

Në Ditën Botërore të Fëmijëve-20 nëntorit, po u bëhet thirrje institucioneve të vendit që të punojnë më shumë në mbrojtjen e tyre. Veç tjerash po kërkohet që të jetë prioritet mirëqenie e çdo fëmije, marrë parasysh që shumë prej tyre po rriten edhe me dhunë. Krahas kësaj, po u bëhet thirrje edhe institucioneve për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Në bluzën e 16 vjeçarit, po shkruan “Unë pa dhunë”. Yll Kosumi po kërkon që ai dhe fëmijët e tjerë të rriten me dashuri, e jo me dhunë. Ai bën në pjesë në grupin “Respect our right”, dhe tha se kjo ditë është shumë e rëndësishme për të, sepse shënon pikërisht Ditën Botërore për mbrojtjen e fëmijëve.

“Shpresojmë që këto ligje do të zbatohen dhe të mos mbesin vetëm ligje në letër. Shpresojmë që institucionet përkatëse, qeveria dhe ministritë të na ndihmojnë neve të vazhdojmë në rrugëtimin tonë për mbrojtjen e drejtave të fëmijëve. Dhe shpresojmë që në një të ardhme sa më të mirë për fëmijët që ne të shkojmë sa më përpara. Përndryshe viti 2020 ka qenë i begatë për neve, sepse po ashtu është miratuar Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe ne jemi gëzuar shumë për shkak se ne mbrohemi me ligj. Andaj ne tash jemi pjesë e kampanjës “Unë pa dhunë”. Që do të thotë se ne fëmijët duhet të rritemi pa dhunë, njëfarë mënyrë duhet të rritemi me dashuri, dhuna asnjëherë nuk është zgjidhje”, u shpreh ai.

Në shënimin e kësaj dite, organizatat Save the Children dhe Syri i Vizionit me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), kanë përuruar një ekspozitë pranë Newborn-it.

Habit Hajredini nga zyra për qeverisje në kuadër të Zyrës së Kryeministrit tha se kjo fushatë ka për qëllim që të ngritë vetëdijen institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve për mbrojtjen e fëmijëve.

“Në korrik të këtij viti ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, një ligj i cili mbron, garanton të drejtat e fëmijëve. U jep obligime të mëdha institucioneve për të mbrojtur fëmijët, pa dallim race e gjinie, aftësi e kufizuar. Është një mobilizim dhe obligim institucional për të punuar në zbatimin e këtij ligji. Ne vetëm kemi filluar të bëjmë hapin e parë konkret në nxjerrjen e akteve nënligjore që autorizojnë, obligojnë ministritë përkatëse për edukim, mirëqenie sociale, shëndetësi dhe specifikave të tjera. Ne bëjmë thirrje që të ketë mobilizim institucional në nivel qendror dhe lokal dhe bashkëpunim të te gjitha organizatave joqeveritare që të punojnë më shume për promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë”, u shpreh ai.

Hajredini mes tjerash ka pohuar se fëmijët gjatë rritjes po ballafaqohen edhe me dhunë.

E, drejtori i “Save the Children”, Ahmet Kryeziu theksoi se mirëqenia e fëmijëve duhet të jetë prioritet i të gjithëve. Kështu ai u bëri edhe thirrje institucioneve të punojnë më shumë në mbrojtjen dhe dëgjimin e zërit të tyre.

“Mendojmë që është një ditë ku të ftojmë të gjithë të mendojnë më shumë sidomos institucionet që të investojnë më shumë për të drejtat e fëmijëve, për mirëqenien e tyre. Marrë parasysh pandeminë dhe gjitha vështirësitë që të gjithë po ballafaqohemi, mendojmë që është një moment shumë i rëndësishëm që të gjithë të kontribuojmë dhe të angazhohemi më shumë që të drejtat e fëmijëve dhe zëri i tyre të dëgjohet më shumë”, theksoi Kryeziu.

Ekspozita “I want to be”, do të qëndrojë 10 ditë në obeliskun NEWBORN. Kjo ditë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për të drejtat e fëmijëve dhe përmirësimin e mirëqenies të tyre.

Të tjera