Lajme

​Të hënën vazhdon gjykimi i Salih Mustafës

Autori: Gazeta inFokus 22:17 | 03 October 2021

Trupi gjykues në Gjykatës Speciale do të vazhdojë nesër procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në orën 09:30.

Salih Mustafa, i njohur në luftë si “komandant Cali” është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Seanca e paraqitjes së parë së Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Palët i dorëzuan si konfidenciale versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe më 6 maj 2021 mbrojtja.

Më 30 prill 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesat e pesë viktimave dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, Grupi I. Më 7 maj 2021, gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues I.

Më 21 maj 2021, trupi gjykues miratoi kërkesat e katër viktimave tjera dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procedura si pjesë e Grupit 1. Trupi gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar.

Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.

Të tjera