Lajme

​S’ka pajtueshmëri ende për datën dhe agjendën e takimit Kurti-Vuçiq

Autori: Gazeta inFokus 10:06 | 05 September 2021

Megjithëse është paralajmëruar se në muajin shtator do të mbahet takimi i tretë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ende nuk është gjetur pajtueshmëri për datën dhe agjendën e diskutimit.

E njëjta, sipas ndërmjetësuesve nga Brukseli do të bëhet publike në kohën dhe momentin e përshtatshëm. Pavarësisht kësaj, nga ekzekutivi nuk bëjnë të ditur se cilat tema do t’i shtyjnë përpara në këtë takim, ndërsa opozita dhe shoqëria civile shprehën skeptike për rezultate pozitive.

Mungesën e pajtueshmërisë për datën dhe agjendën e takimit të shtatorit e konfirmon edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

“Ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut kur është e përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e shkurtë të tij.

Lidhur me këtë, të heshtur kanë qëndruar edhe nga Qeveria e Kosovës. Zyrtarët qeveritarë nuk kanë treguar se cilat tema do t’i shtyjë parapara në këtë takim, kryeministri Albin Kurti.

Por, nga partia opozitare, LDK i bëjnë thirrje kryeministrit Kurti që mos t’i bëhet mbulesë presidentit serb, Vuçiq për vazhdimin e status-qou-së, pasi ky i fundit po përpiqet të gjejë alibi për të mos gjetur zgjidhje.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti thotë se kreu qeveritar duhet të insistojë në zgjidhjen për njohje reciproke në kufijtë aktual.

“Duket qartë se presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm për zgjidhje, por përpiqet të gjejë alibi për të mos gjetur zgjidhje. Këtë alibi këtë po e kërkon, por Kosova, Qeveria dhe kryeministri ynë nuk guxon t’i jap mbulesë Vuçiqit në këto përpjekje të tij djallëzore. Ata janë të interesuar për status-qou, Kosovës nuk i intereson ajo, ajo duhet të kërkojë zgjidhje me njohje reciproke në kufijtë aktual në mënyrë që ne si shtet i përgjegjshëm gradualisht të bëhemi pjesë e sistemit ndërkombëtar”, thotë ai.

Pritje minimale për këtë takim shpreh edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, i cili se dy palët janë duke e shfrytëzuar dialogun për qëllime të brendshme për shkak të zgjedhjeve në dy vendet.

“Nuk duhet pritur ndonjë progres i veçantë, s’duhet pasur ndonjë pritje sa i përket takimit të shtatorit. Ajo çfarë kemi parë edhe në dy takimet e kaluara është se dy palët janë duke shfrytëzuar dialogun për qëllime të veta të brendshme politike. Nuk ka për momentin një mjedis të favorshëm politik për progres të dialogut. Kjo është për momentin edhe e kuptueshme sepse në dy vendet shumë shpejtë do të ketë zgjidhje. Kosovë në tetor do të kemi zgjedhje lokale, në Serbi në prill të vitit ardhshme kemi zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Prandaj në një mjedis zgjedhor nuk duhet pritur ndonjë progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”, deklaron Shasha.

Një shqetësim të tillë e ka edhe Hamiti nga LDK, pasi thotë se në fazën aktuale, dialogu Kosovë-Serbi po ka shtytje të madhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nuk po shoh shtytje të mëdha, për sa kohë që nuk ka shtytje të madhe, Serbia edhe më pak do të ketë shtytje për të gjetur zgjidhje që patjetër duhet të përfundojë me njohje. Prandaj po them që Kosova nuk duhet të bëjë asgjë që t’i jap justifikim ose mbulesë Serbisë për ta zvarritur këtë proces”, shton ai.

Deri më tani janë mbajtur dy takime të nivelit të lartë politikë, ndërmjet kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Pavarësisht kësaj, dy palët nuk kanë gjetur asnjë pajtueshmëri, megjithëse ka pasur propozime konkrete për arritjen e një zgjidhje.

Të tjera