Lajme

​Remitencat shënojnë rritje, sivjet priten të jenë mbi 1 miliard euro

Autori: Gazeta inFokus 11:15 | 04 July 2021

Dërgesat nga bashkatdhetarët sivjet kanë shënuar një trend rritës dhe pritet që deri në fund të vitit të arrijnë mbi 1 miliard euro.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në tre mujorin e parë të këtij viti remitencat kanë arrit shumën 250 milionë euro ose rreth 60 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Përkundër krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia Covid-19, remitencat më 2020 shënuan rritje 120 milionë më shumë se në vitin 2019.

Ndërsa, sipas Instituti Riinvest, në 10 vitet e fundit, remitencat kanë arrit vlerën mbi 7 miliardë euro.

Visar Vokrri, drejtor programor në Institutin Riinvest thotë për KosovaPress se sipas kalkulimeve që janë bërë vlera ose kontributi i diasporës përveç remitencave për gjatë një viti kalendarik është edhe më i madh me shpenzime dhe investime.

“Vlera e remitencave besoj që do të kalojë 1 miliardshin këtë vit, pasi kohëve të fundit po shohim edhe lirim të masave sa i përket lëvizjes së qytetarëve, prandaj besoj që këtë vit, në këta muajt e verës do të kemi një fluks të diasporës në Kosovë dhe kësisoj besoj që kontributi i tyre do të vazhdoj ashtu siç ka qenë ndoshta edhe më i madh për ekonominë e Kosovës…Unë nuk dua ta reduktoi kontributin e diasporës vetëm në remitenca. Mirëpo nëse flasim vetëm për remitenca të paktën për ato që janë raportuar nga institucionet e thirrura, në dhjetë vitet e fundit diku vetëm vlera e remitencave arrin në 7 miliardë euro të dërguara nga diaspora. Mirëpo kontributi i diasporës nuk mund të futet vetëm në remitenca”, thekson Vokrri.

This image has an empty alt attribute; its file name is vokrri-030721.jpg
Vokrri po ashtu thotë se pjesa dërmuese e remitencave shkojnë në konsum ditor, ani pse sipas tij në këto vitet e fundit ka pasur edhe disa investime të mëdha nga diaspora në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Për këtë, sipas Vokrrit diaspora duhet të trajtohet me një ligj të veçantë.

“Nuk mund të presim që dërgesat të kanalizohen leht për investime, mirëpo duhet analizuar mirë një strategji, një qasje se si të krijojmë iniciativa që bashkatdhetarët tanë të fillojnë të investojnë në Kosovë. Ndoshta një pjesë e këtyre remitencave mund të kanalizohet në investime[…]Investitorë të shumtë kemi nga diaspora, kemi parë në këto vitet e fundit investime të mëdha nga diaspora në sektor të ndryshëm të ekonomisë. Unë besoj që duhet të trajtojmë diasporën në mënyrë të veçantë duke parë rolin që kanë pasur gjatë këtyre viteve në Kosovë. Unë besoj që duhet ti trajtojmë me një ligj të veçantë dhe investimet e tyre dhe ti konsiderojmë si investime strategjike dhe shohim se ku mund ta kanalizojmë kapitalin e tyre në Kosovë. Kjo qeveri në programin e saj kam parë që ka në plan që në këtë drejtim të punojë diçka, mirëpo ende nuk kemi ide konkrete për të cilat presim që të shpalosen në muajt në vijim”, thotë ai.

Edhe profesori universitar Muhamet Sadiku deklaron se lidhja e bashkatdhetarëve me Kosovën ka qenë gjithnjë e fuqishme dhe ka vazhduar një trend i dërgesave të mëdha të cilat janë gati sa gjysma e buxhetit të Kosovës, respektivisht rreth 13 përqind e Bruto Produktit Vendor.

“Edhe për kundër problemeve që ka sjellë pandemia, megjithatë lidhja e diasporës me Kosovën ka qenë gjithnjë e fuqishme dhe ka vazhduar një trend I dërgesave të mëdha të cilat janë rreth 40 përqind e buxhetit të Kosovës, respektivisht rreth 13 përqind e Bruto Produktit në vend. Remitencat janë treguar burim i sigurt dhe afatgjatë i zhvillimit ekonomik të Kosovës pavarësisht se 90 përqind e remitencave shkojnë në mbulimin e konsumit familjar në Kosovë. Kjo është një strukturë e ndërtuar nga niveli i lartë I papunësisë dhe niveli i lartë i varfërisë, prandaj familjet kosovare derisa ekziston kjo situatë sociale…Parat e diasporës në një përqindje të vogël orientohen në investime për hapjen e vendeve të punës”, theksoi Sadiku.

This image has an empty alt attribute; its file name is sadiku-030721.jpg
Ai shtoi se një pjesë e madhe e këtyre parave shkojnë në mbulimin e importit të madh, pasi Kosova i ka 2,4 miliardë euro në vit import.

Sipas studimeve të ndryshme, për orientimin e remitencave në investime, Kosova duhet të ndërtojë një mjedis biznesor të favorshëm për investitorë të huajë e nga diaspora.

Ndërsa, zëdhënësi i BQK-së Kushtrim Ahmeti thotë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress se përgjatë muajve, janar-mars remitencat kanë arrit 243 milionë euro.

“Vlera totale e remitencave për tremujorin e parë të këtij viti (janar-mars 2021), ishte 242.9 milionë euro, që është më e lartë për 55.6 milionë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku vlera e remitencave ishte 187.3 milionë euro”, thotë Ahmeti.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës me anë të një vendimi sikur vitin e kaluar synon t’i nxitë bashkatdhetarët që të vizitojnë Kosovën. Në mbledhjen e fundit të ekzekutivit të udhëhequr nga kryeministri Kurti është marrë vendim që të mbulohen shpenzimet policës kufitare ne vlerë deri 6 milionë euro për bashkatdhetarët.

Të tjera