Lajme

​Reçica kërkon miratimin e Projektligjit për inspektoratin e punës, opozita kundërshton

Autori: Gazeta inFokus 18:28 | 19 November 2020

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar Projektligjin për Inspektoratin e Punës, por nuk kanë pasur vendimmarrje për të miratuar.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica duke kërkuar miratimin e këtyre plotësin-ndryshime tha se ndër arsyet kryesore janë reformimi i këtyre institucioneve.

“Arsyet kryesore të hartimit të këtij projektligji janë reformimi i institucionit të inspektoratit të punës sipas standardeve ndërkombëtare të punës dhe praktikave të mira të BE-së. Përmes këtij projektligji synojmë të fuqizojmë dhe reformojmë inspektoratin e punës si institucion i mbikëqyrjes së punës”, tha ai.

Ndërkaq dy partitë opozitare, LVV dhe PDK nuk i dhanë mbështetje këtij projektligji.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati tha se Projektligj për Inspektoratin e Punës nuk është i duhur.

“Kemi këtë projektligj që i bie sikur të vijë karroca para kalit, që është për së mbrapshti e prandaj është e mundshme të konsiderohet dhe shqyrtohet në atë mënyrë që të kemi pastaj një sistem ligjesh që rregullojnë si duhet tregun e punës. Jemi të vetëdijshëm çfarë shkeljesh bëhen në tregun e punës, humbin jetën në vendin e punës dhe nuk ka drejtësi për ta”, tha ai.

E deputeti Ferat Shala nga PDK-së tha se si i tillë ky projektligj nuk meriton të mbështetet.

“Për më keq që ky projektligj meriton të mos mbështetet, është se edhe në këtë plotësim-ndryshim mbetet përsëri edhe niveli i dytë brenda të njëjtit kuadër të inspektoratit e punës. Kjo është një praktikë e keqe dhe konflikti i hapur i interesit”, tha ai.

Ndërsa partitë në pushtet e mbështetën miratimin në parim të Projektligjit për Inspektoratin e Punës./

Të tjera