Lajme

​Rasti Ivanoviq, vazhdohet për dy muaj masa e paraqitjes në polici për tre të dyshuar

Autori: Gazeta inFokus 18:11 | 14 September 2020

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka vazhduar masën e paraqitjes së detyrueshme në polici edhe për dy muaj Dragisha Markoviq, Silvana Arsoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët dyshohen se u kanë ndihmuar autorëve me veprimet e tyre në kryerje të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga avokati i këtij rasti Musa Damati.

“Klientja ime Silvana Arsoviq, me rolin e saj si asistente e partisë, dyshohet se përmes kamerave ka ofruar ndihmë në veprën penale, dhe në këtë fazë të procedurës penale konsideroj se është sukses i mbrojtjes që masat tjera të propozuara nga Prokuroria Speciale e Kosovës janë refuzuar për klienten time, dhe se gjykata ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes duke e vazhduar vetëm masën për paraqitje në polici të klientes sime”, deklaroi Damati.

Oliver Ivanoviq, lideri i Partisë Liri, Demokraci dhe Barazi u qëllua për vdekje më 16 janar 2018 në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Mediat serbe e përshkruan vrasjen si akt të kryer në makinë nga më shumë se një person, ndërsa Ivanoviq po shkonte në zyrat e partisë.

Policia dyshon se një makinë e gjendur e djegur në një tjetër rrugë të Mitrovicës është përdorur nga autorët e krimit, e më pas është djegur për të humbur gjurmët. Në nëntor 2019, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Ivanoviqit. /KosovaPress/

Të tjera