Lajme

​Protestojnë sërish specialistët e papunë të Stomatologjisë

Autori: Gazeta inFokus 12:18 | 18 November 2020

Për më shumë se dhjetë herë, specialistë të stomatologjisë po protestojnë para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH). Kërkesa e tyre e vetme është që të hapet konkursi për punësimin e tyre në institucionet publike shëndetësore. E siç thonë ata, ka tash e më shumë se shtatë vjet që nuk është hapur ky konkurs, dhe që të njëjtit po diskriminohen e kanë mbetur të papunë. Për këtë thonë se janë të gatshëm të qëndrojnë në oborrin e ministrisë, ani pse ministri Zemaj nuk ka pranuar të takohet me ta.

Me fillim të protestës, specialistët e papunë u përballen me sigurimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Grupi i Specialistëve të Stomatologjisë ka tentuar të vendosë në rrethojat e ministrisë, mbishkrimin “Diskriminim”, por të njëjtit nuk janë lejuar. Për këtë përfaqësuesja e këtij grupi, Mirjeta Berisha-Dobraj ka shprehur shqetësimin duke thënë se që nga viti 2017 kanë të vetmen kërkesë, por që asnjë ministër nuk ka shprehur vullnetin që t’iu bëjë zgjidhje.

“Arsyeja e kësaj proteste është sepse ne kemi protestuar sa herë, asnjë ministër nuk ka shprehur vullnetin të bëjë zgjidhjen për sistemimin në sistem publik shëndetësor. Ne jemi specialistë nuk jemi specializantë, kemi mbetur në rrugë me vite të tëra, dhe asnjë konkurs ne nuk përfshihemi. Jemi të diskriminuar në maksimum. Të gjitha profilet tjera kanë mundësi të angazhohen edhe të futen në sistem publik shëndetësor, kurse specialistët e stomatologjisë me vite e kanë përfunduar edhe specializimin dhe janë specialistë të vërtetë. Nuk ka asnjë vend për neve”, tha ajo.

Veç tjerash, ajo theksoi se ka shumë specialistë të papunë aktualisht, por që për shkak të pandemisë, janë kufizuar në numër të protestuesve. Ajo ka theksuar se që nga fillimi i mandatit të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë kërkuar takim me të, por që i njëjti nuk i është përgjigjur kërkesave të tyre.

Berisha-Dobraj tha se ka mbi shtatë vjet që nuk është hapur konkursi për specialistët e stomatologjisë.

Berisha-Dobraj: Ne do të vazhdojmë edhe në format tjera, kjo është e tepërt
(Video)
“Ministri nuk qenka këtu, ne do ta presim këtu nëse është nevoja edhe me ditë edhe me orë të tëra këtu para ministrisë. Është vendi i vetëm ku ne mund të drejtohemi, kjo është shtëpia e jonë… Do të vazhdojmë në këtë formë, do të vazhdojmë edhe në format tjera, mirëpo kjo është e tepërt. Është fundi i fundit”, është shprehur ajo.

Tash e pesë vjet Afërditë Canolli është specialiste e stomatologjisë, mirëpo e njëjta ende nuk është punësuar në institucionet publike shëndetësore. Ajo tha se ky ka qenë edhe një ndër premtimet e çdo ministri në Kosovë, por që njëjtë nuk ka ndodhur.

“Që sa e sa herë protestojmë bashkë me kolegët e mi, deri tash asnjëherë nuk na është bërë zgjidhje, dhe asnjë të vetmit. Vetëm një herë është hapur një konkurs, ndoshta edhe dy herë mirëpo ka qenë numër shumë i vogël i atyre specialistëve të cilët janë pranuar. Por për specialistët e mjekësisë së përgjithshme thuajse të gjithë janë të sistemuar. Edhe gjithmonë proklamohet jo vetëm në mandat të këtij ministri, por edhe të ministrave tjerë që asnjë specialistë nuk do të jetë i papunë”, ka deklaruar ajo.

Grupi i Specialistëve të Stomatologjisë tash e sa kohë po protestojnë për mos punësimin e tyre në institucionet publike shëndetësore, gjegjësisht Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Poliklinikat Shëndetësore.

Të tjera