Lajme

​Presidenca kroate e BE-së mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 13:00 | 10 April 2020

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian Blerim Reka, priti sot Danijela Barisic – Ambasadoren e Kroacisë, të shtetit kryesues të BE.

Sipas komunikatës ministrore, duke ndarë shqetësimet e përbashkëta për pasojat e koronavirusit, Ministri në detyrë Reka e njoftoi Ambasadoren Barisic, se edhe në këto rrethana pandemie, Qeveria në detyrë dhe Ministria për Integrim Evropian, vazhdojnë përkushtimin e tyre në jetësimin e reformave të agjendës evropiane.

Si dëshmi, ai njoftoi se në mbledhjen e fundit të Qeverisë, pesë çështje të miratuara nga Qeveria, ishin pikërisht ato që lidhen me Bashkimin Evropian, siç janë: nisma për marrëveshjen IPA 2019 (pjesa e dytë), pastaj për IPA 2020, si dhe marrëveshjet trepalëshe financiare IPA II në mes të: Kosovës, BE dhe Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Poashtu, edhe në këtë periudhë, ndonëse në rrethana të kufizime ve me pandeminë, Ministria vazhdoi të jap kontributin e kërkuar nga Brukseli në lidhje me raportin vjetor për vendin, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane.

Duke iu falënderuar BE-së për ndihmën e parë emergjente prej 5 milionë EURO për përballjen me pandeminë dhe ato të premtuarat prej 160 milionë EURO, Ministri Reka, kërkoi që Presidenca Kroate e BE të përkrahë dhe shtyjë përpara çështjen tashmë të tej zgjatur – atë të liberalizimit të vizave.

Ambasadorja Barisic, përsëriti përkrahjen e Kroacisë – si mike e Kosovës, për rrugën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e saj për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ajo informoi Ministrin Reka për datën e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që o të mbahet në Zagreb, se edhe pse ishte paracaktuar të mbahej në javën e parë të majit, data e samitit shtyhet për qershorin e vitit 2020 për shkak të shpërthimit të COVID-19. Lidhur me këtë, Ambasadorja Barisic theksoi se në bashkëpunim me Presidentin Evropian Charles Michel, ne po përpiqemi të gjejmë datën e re në qershor, për të organizuar Samitin BE-Ballkan Perëndimor, në Zagreb.

Të tjera