Fokus

​Para takimit me profesor Isa Mustafën, Kurti thotë që nuk do të diskutohet posti i shefit të qeverisë

Autori: Gazeta inFokus 14:14 | 21 November 2019

Zgjedhjet e jashtëzakonshme u mbajtën më 6 tetor, por rezultatet nuk u certifikuan ende, as pas afër dy muajsh.

Gjatë kësaj kohe, dy partitë që prijnë me vota, e deri tash ishin në opozitë, Vetëvendosje e LDK, patën një seri takimesh, për të bërë një koalicion pas-zgjedhor, shkruan gazeta inFokus.

Kështu, edhe këtë të premte pritet një takim tjetër, por tash, mes dy krerëve të partisë, Albin Kurtit e Isa Mustafës.

E sipas njeriut më të votuar, Albin Kurtit, në këtë takim do të fliten të gjitha temat, madje edhe ndarjet e posteve ministrire e çështjen e Presidentit, shkruan gazeta inFokus.

Por, jo edhe posti i shefit të qeverisë, për të cilin Vetëvendosje janë të bindur se i takon Albin Kurtit.

Madje, ky i fundit ftoi LDK-në të përshpejtojnë drejt formimit të qeverisë, sepse sipas tij, brenda disa ditësh pritet certifikimi i rezultateve e brenda 30 ditëve të ftohet seanca.

“Nesër do të takohem me profesor Isa Mustafën, kryetarin e LDK-së. Do të diskutojmë për arriturat e deritanishme të dy grupeve punuese që kanë negociuar harmonizimin e programit tonë i cili është përfunduar në masën mbi 80%. Shpresoj që do të diskutojmë edhe ato që kanë ngelur pa u diskutuar përfshirë këtu edhe programin, njëkohësisht edhe si është më mirë të vazhdojmë sa i përket ndarjes së përgjegjësive ekzekutive. Meqë natyrisht përfundon rinumërimi dhe i jepet rezultati vërtet final javën e ardhshme. Andaj ne duhet të ecim me shpejtësi drejtë formimit të qeverisë sepse do të bëhet certifikimi i rezultateve… nuk është e thënë që do t’i mbyllim të gjitha temat, por është koha që t’i hapim ato”, tha Kurti.

E duke mos i mohuar diskutimet për emërimin e Presidentit, pas dy vitesh, Kurti tha që fokus i diskutimeve do të jenë karriget e zbrazëta, të cilat kanë mbetur pa përfaqësues.

“Ne do të diskutojmë me kryetarin e LDK-së për këto çështje, por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta. E ato janë të kryeministrit, ministrive, kryeparlamentarit, zëvendësministrave dhe unë besoj që kjo është detyra më urgjente që kemi. Meqenëse se shpesh gjërat nuk përfundojnë më një takim, është mirë që sa më parë t’i diskutojmë këto punë. Sepse në çastin kur certifikohen rezultatet e zgjedhjeve atëherë presidenti i vendit ka 30 ditë për të thirrur seancën”, tha Kurti.

E i pyetur për deklaratat e zyrtarëve të LDK-së se posti i shefit të qeverisë peshon e si pasojë ndarja e ministrive nuk mund të jetë e barabartë, Kurti tha kjo nuk është ashtu, pasi sipas tij, kryeministrin e ka përcaktuar populli më 6 tetor.

“Kryeministrin e ka përcaktuar populli i Kosovës më 6 tetor, ministritë janë të diskutueshme…ne këmbëngulim në harmonizimin tonë programor. Duhet të gjendet edhe një formulë për ndarjen e këtyre përgjegjësive, por unë nuk mund të flas tash se këtë e lëshoj e këtë se lëshoj thua ti është një lloj…nuk mund të jetë ashtu, kryeministrin e ka përcaktuar populli me 6 tetor, ne kemi qenë kandidatë në garë, secili subjekt që ka garuar e ka pasur kandidatin e vet për kryeministër”, tha ai.

Ka dy mbi javë që kanë përfunduar negociatat e grupeve punese të VV-së dhe LDK-së, e prej atëherë nuk ka pasur takim ndërmjet këtyre dy partive./Gazeta inFokus/

Të tjera