Lajme

​Osmani: Të punojmë çdo ditë për ta ndërtuar Kosovën që e ëndërrojnë fëmijët

Autori: Gazeta inFokus 18:19 | 20 November 2020

U.d. Presidentja, Vjosa Osmani me rastin e Ditës Universale të të Drejtave të Fëmijëve bashkëbisedoi sot në një takim online me 30 fëmijë nga Asambletë Komunale të fëmijëve të Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit e Gjakovës.

Ky bashkëbisedim u realizua për nder të 20 Nëntorit, i cili me vendim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ditë që i kushtohet të drejtave të fëmijëve.

U.d. Presidentja Osmani i uroi fëmijët me rastin e ditës së tyre dhe shprehu keqardhje që shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, nuk pati mundësi t`i mirëpresë ata në Presidencë.

Zonja Osmani i siguroi ata për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe bërjes së Kosovës siç e ëndërrojnë ata.

“Vendi ynë është vend më i mirë, kur fëmijëria juaj është e bukur dhe e shëndetshme, kur çdo shok e shoqe e lagjes tuaj, fshatit apo qytetit tuaj ka mundësi të shkollohet dhe të marr edukim cilësor, kur ju mund të lozni në parqe e në ajër të pastër, kur mundësitë tuaja për tu avancuar dhe për të fituar vazhdimisht shkathtësi të reja janë të shumta e lehtë të qasshme”, është shprehur u.d. Presidentja. Ajo tha se beson fuqishëm në këtë, ngase: “Kur fëmijët janë mirë, të shëndetshëm, mirë të edukuar, dhe të fuqizuar, e tillë do të jetë edhe e ardhmja e vendit tonë”.

Në bashkëbisedimin virtual me më të vegjlit, u.d. Presidentja pati rastin të njoftohet edhe me punën e Asambleve Komunale të fëmijëve, sfidat dhe kërkesat e fëmijëve nga komunat përkatëse. Ndërkaq fëmijët shfrytëzuan rastin t’i adresojnë u.d Presidentes një sërë pyetjesh që kanë të bëjnë me punën e saj.

Të tjera