Lajme

​Osmani: Adem Mikullovci mbrojti interesin publik deri në frymën e fundit

Autori: Gazeta inFokus 11:56 | 15 September 2020

Në nderim të jetës dhe veprës së artistit dhe poliikanit, Adem Mikullovci pranë Teatrit Kombëtar është vendosur fotografia e tij ku edhe po bëhen homazhe.

Homazh ka bërë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Kosova ka humbur një njeri të madh i cili ka kontribuar, jo vetëm si artist, por edhe një njeri që mbrojti interesin publik deri në frymën e fundi.

 

“Sot kemi humbur një njeri të madh, jo vetëm të komunitetit artistik por edhe një ish deputet të Kosovës, dhe ish delegat i dy korrikut, që shpallën deklaratën kushtetuese dhe miratuan kushtetutën e Kaçanikut, por kemi humbur një njeri të madh që ishte në zemrën e secilit qytetarë të Republikës së Kosovës. Adem Mikullovci aktroi për publikun por ne të njëjtën kohë e mbrojti interesin publik deri në frymën e fundit. Ishte një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm, një njeri nga i cili kemi mësuar shumëçka, i cili edhe në kohërat me të rënda e gjente mënyrën, që nëpërmjet humorit të tejkalohen ato situata të vështira për të gjithë ne”, tha ajo.

Me këtë rast kryetarja e Kuvendit shprehu ngushëllime për familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me Mikullovcin.

 

“Pra, shpreh ngushëllime, në radhë të parë familjes e të cilët e përkrahën, mbështetën dhe i qëndruan pranë në çdo moment. Dua të shpreh ngushëllime edhe për komunitetin artistik të cilët për dekada të tëra e patën shembull, mësuan por edhe punuan me të, të gjithë delegatëve të dy korrikut me të cilët kishte punuar që të vejë themelet e shtetësisë së Republikës së Kosovës kur shumë pak njerëz guxonin, refuzonin ideologjinë komuniste dhe regjimin gjenocidial serb, dhe poashtu gjithë deputetëve të cilët ai punoi në mandatin e kaluar”, ka thënë Osmani”, tha ajo.

Homazhet po vazhdojnë teksa aty janë parë artistë, politikanë e qytetarë, të cilët nderuan jetën dhe veprën e artistit të madh shqiptar.

Të tjera