Lajme

​OAK kërkon nga qeveria mbrojtjen e bizneseve dhe punëtorëve

Autori: Gazeta inFokus 14:34 | 24 December 2021

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka shprehur shqetësimin e bizneseve lidhur me problemet që po hasin si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, me të cilat po ballafaqohen kohën e fundit. Kjo ka bërë që OAK të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të mbrojë bizneset dhe punëtorët.

OAK në një komunikatë për media ka bërë të ditur se shqetësimet e bizneseve i ka adresuar në një shkresë për media drejtuar KEDS-it, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zyrës së Rregullatorit për Energji si dhe ministrave përkatës.

Si rezultat i gjendjes aktuale, OAK thotë se bizneset përveç që po ballafaqohen me ndërprerje të energjisë elektrike, në shumicën e rasteve në momentin kur nuk ka ndërprerje, ballafaqohen me probleme të tjera të cilat po pamundësojnë punën e makinerive.

Në shkresën drejtuar përfaqësuesve të institucioneve vendore OAK informoi që një ditë më parë vizitoi biznese të veprimtarive të ndryshme siç janë ato prodhuese, tregtare e shërbyese, ku të gjitha unanimisht theksuan që sistemi trefazor aktualisht nuk po funksionon. Mos funksionimi i rregullt i sistemit tre fazor, ka ndikuar që bizneseve të u pamundësohet kryerja e punëve, pasi që makineritë që ato përdorin kërkojnë energji stabile.

OAK theksoi që për të evituar këtë, bizneset po obligohen të sigurojnë energji elektrike në forma të tjera, siç është kalimi në gjenerator, sidomos në 48 orët e fundit dhe kërkoi që mos të ketë ndërprerje të tilla të energjisë elektrike të cilat po pamundësojnë funksionimin e rregullt të bizneseve.

OAK kërkoi nga institucionet vendore që të evitohen me urgjencë ndalesat e sistemit trefazorë dhe reduktime minimale me paralajmërime javore për kufizimet e mundshme.

Të tjera