Sport

​Nga fondi i pandemisë përfitojnë 38 Federata Sportive, Hoti: Mbështetja e Qeverisë është obligim

Autori: Gazeta inFokus 11:13 | 17 November 2020

Ceremonia e nënshkrimit të kontratave me 38 Federatat Sportive të Kosovës, për ndarjen e mjeteve financiare nga fondi për mbështetjen e sportit në kohë të pandemisë.

Është mbajtur sot ceremonia e nënshkrimit të kontratave me 38 Federatat Sportive të Kosovës, për ndarjen e mjeteve financiare nga fondi për mbështetjen e sportit në kohë të pandemisë.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me ç’rast tha se mbështetja e dhënë për MKRS-në është pjesë e obligimit qeveritar.

Ai premtoi se do të mbështes edhe më shumë fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Teksa shtoi se edhe për vitin tjetër kanë paraparë një pako mbështetëse për këtë dikaster.

“Mbështetja që u jep qeveria është një obligim, nuk është favor. Më vjen mirë që është nda një pjesë e mbështetjes për ju për me u përballë me këtë situatë të vështirë. Kërkoj që t’iu rrini afër të gjitha klubeve në përmbushjen e masave. Unë shfrytëzoj rastin t’iu përgëzoj juve klubeve të sportit në të gjitha fushat që keni pasur”, tha ai.

Hoti theksoi se duhet bashkëpunim i vazhdueshëm që të ndihmohen sportistët për të arritur kulmin e sukseseve të tyre.

Ministrja e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për dikasterin që e drejton është e jashtëzakonshme, veçanërisht duke marrë parasysh periudhën e ndjeshme të shkaktuar nga pandemia.

“Në këtë vit edhe pse ka qenë i rëndë kemi punuar edhe në infrastrukturë, duke filluar nga sallat sportive, fushat sportive, pishinat e të tjera. Kemi shpenzuar diku rreth 4 milionë euro buxhet. Punimet janë duke vazhduar dhe synimet janë që tu japim mundësi këtyre klubeve. Është një lajm i mirë që ne nuk kemi bërë dallime mes meshkujve dhe femrave, në këtë paketë të gjithë janë të njëjtë”, u shpreh ajo.

Në fund Dumoshi i bëri edhe një dhuratë kryeministrit Hoti.

Të tjera